1 ditë para zgjedhjeve, Meta thirrje qytetarëve: Shmangni pro.vokimet dhe dhunën

Presidenti i vendit Ilir Meta iu ka bërë sërish thirrje qytetarëve të respektojnë në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithsecilit gjatë ditës së nesërme, teksa mazhoranca do të zhvillojë e vetme zgjedhjet lokale.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Meta i fton qytetarët shqiptarë të sillen me qetësi dhe mençuri, si dhe të vetëpërmbahen.

Postimi i Ilir Metës: 

Të dashur qytetarë, Përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithsecilit gjatë ditës së nesërme.

Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithësecilit!

E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshmë që ka nesër ruajtja e paqes sociale. Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë.

Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore. Në bazë të Kodit Zgjedhor palët që marrin pjesë në zgjedhje janë të detyruara që të mos bëjnë deklarata. Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë opozita. Fushata është shoqëruar me akuza, protesta e përplasje në disa KZAZ. Protesta në Tiranë, Dibër dhe Kurbin.Presidenti Ilir Meta bën thirrje qytetarëve për ruajtjen e paqes dhe qetësisë.