100-vjetori i Vllaznisë, ku janë tifozët?

100-vjetori i klubit më të vjetër shqiptar e gjen Vllazninë në një situatë të vështirë dhe aspak për tu krenuar. Kuqeblutë e festojnë këtë vit jubilar në një kategori inferiore, siç është Kategoria e Parë. Në një kategori të cilën u rrezua pas disa vitesh zvarritje në Superiore dhe për këtë ka vetëm një fajtor kryesor: Drejtuesit.

Është Bashkia Shkodër, institucioni që drejton klubin Vllaznia prej disa vitesh dhe nuk bëri asgjë për të ngritur lart emrin e këtij klubi, përkundrazi e përdori për të përfituar dhe në fund e hodhi edhe një kategori më poshtë. Ky institucion në këtë 100-vjetor mësohet se do të organizojë vetëm një aktivitet të vogël, sa për të mos u lënë në harresë.

Po tifozët? Përveç një proteste, pak ditë pasi ekipi ra një kategori më poshtë, asgjë tjetër nuk kanë bërë për të ndihmuar Vllazninë ta dalë nga situata e vështirë. Edhe në prag të këtij 100-vjetori, ato nuk kujtohen të bëjnë diçka të veçantë për këtë klub që u dhuroi shumë emocione për vite me radhë me emra të njohur në fushën e futbollit.

Vllaznia nuk është e bashkisë dhe as e atyre që drejtojnë bashkinë, por e tifozerisë shkodrane. Prandaj, ky 100-vjetor duhet ti zgjojë ato nga gjumi. Me të vërtetë që e kanë mbështetur skuadrën sa herë ka pasur nevojë në ndeshje të caktuara, por sot më shumë se kurrë Vllaznia ka nevojë për to.

Nuk duhet të reagojnë për lojtarët që luajnë për Vllazninë, as për ato që e drejtojnë, por për stemën dhe historinë e këtij klubi shekullor. Vllaznia është e atyre e prandaj duhet sa më parë ta ndihmojnë për tu ngjitur në krye të kampionatit shqiptar, aty ku e meriton të jetë, para shumë skuadrave që nuk kanë as gjysmën e viteve të Vllaznisë. /ShkodraNews