200 lekshi i ri me fytyrën e ‘Nënë Terezës’

Banka e Shqipërisë ka përkujtuar Nënë Terezën në ditën e shenjtërimit të saj, duke risjellë edhe një herë monedhën e emetuar në vitin 2012 për nder të saj.

Banka e Shqipërisë ka treguar sesi do të duket monedha e re 200 lekëshe emëtuar në vitin 2012, që do të mbajë portretin e Nënë Terezës si shenjë përkujtimore për shenjtoren që ka lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar dhe në mbarë botën.

Në qendër të monedhës qëndron një pëllumb në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, është blu, e njëjtë me atë të shamisë së Nënë Terezës, në pamjen pas të monedhës.

Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.

Në pamjen e pasme, në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”.

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Sot, përmes monedhës përkujtimore kushtuar “Nënë Terezës”, përkujtojmë shenjtërimin e Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur nga të gjithë si Nënë Tereza.

Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje katolike. Në sajë të përkushtimit dhe dashurisë së pakufishme që ajo diti t’u dhurojë komuniteteve në nevojë, Nënë Tereza mbetet një nga gratë më të admiruara në botë”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.