93% e të rinjve shkodranë: Bashkia nuk ka punuar mjaftueshëm për të rinjtë!

Bashkia Shkodër ngel në klasë. Anketa Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, e prezantuar në Samitin e 1- rë Kombëtar të të Rinjve, dy muaj përpara zgjedhjeve vendore në Shqipëri, ka sjellë në fokus problemet e të rinjve në 12 qarqet kryesore të vendit. Në Shkodër vjen në shifra në një masë të madhe, rreth 75% e të rinjve fajësojnë politikën dhe deklarojnë se asnjë grupim politik nuk ka bërë asgjë për përfaqësimin e tyre.

Anketa “Rinia në Shkodër 2019”, bazuar në përgjigjet e të rinjve e të rejave, nxorri këto rezultate:

  1. 93% e të rinjve të intervistuar deklarojnë se Bashkia e Shkodrës nuk ka punuar mjaftueshëm për të rinjtë;
  2. 88% e të rinjve të intervistuar shprehen se Bashkia e këtij qyteti nuk i ka adresuar si duhet problemet e të rinjve;
  3. 80% e të rinjve mendojnë se buxheti që Bashkia e Shkodrës ka alokuar për rininë, është i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemet e tyre;

Problemet kryesore të të rinjve në Shkodër, janë të njëjta me ato kombëtare: Papunësia (23%), të ardhurat e ulëta (20 %), korrupsioni (18%) dhe janë problemet më shqetësuese që kërkojnë zgjidhje!

Përsa i përket partive politike dhe përfaqësimit të të rinjve në zgjedhjet vendore 2019, vjen fakti se të rinjtë e këtij qyteti, në masë të madhe, shprehen se asnjë grupim politik nuk është i hapur për të trajtuar e ndihmuar të rinjtë.

  1. 75% e të rinjve mendojnë se asnjë grupim politik në Shkodër nuk është i hapur për shqetësimet e të rinjve;
  2. 59% e të rinjve në Shkodër janë pothuaj të pavendosur apo edhe mohues për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet vendore 2019;
  3. Shkaqet kryesore të këtij zhgënjimi, renditen, mosbesimi në politikë, dëshira për tu larguar nga Shqipëria dhe mosngjallja e shpresës në përqindje të njëjta, në masën 8% të të rinjve që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e votimeve.

Anketa e zhvilluar në 12 qarqe të vendit, me mbi 1210 të rinj e të reja, çdo javë do të publikojë Anketën me të dhëna për çdo Bashki qendër-qark, ku paraqiten shqetësimet, vlerësimi dhe zgjidhjet që të rinjtë japin për përmirësimin e situatës në të cilën ata ndodhen. Anketa “Rinia në Shkodër 2019”, është pjesë e Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, të përgatitur nga Child and Youth Policy Hub Albania me mbështetjen e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN dhe CRCA/ECPAT Shqipëri. Qëllimi kryesor i anketës është evidentimi i problemeve të të rinjve në nivel kombëtar dhe vendor, si dhe adresimi i tyre nëpërmjet Axhendës Kombëtare të të Rinjve, Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë dhe politikave vendore për rininë në të gjitha Bashkitë e vendit.