A do jetë Mirush Kabashi kryetar i partisë dhe ç’ndodhi me Kim, Hajdari i tregon të gjitha



Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari ka rrëfyer sot zhvillimet e fundit në partinë që ajo do të krijojë me nismën “Thurje” por edhe zhvillimet e fundit  politike.



Hajdari tha se ajo është për hapjen e listave 100%, ndërkohë që sipas saj barazia gjinore mund të arrihet me një korrektim paszgjedhor.



Sa i takon takimit me Yuri Kim, Hajdari tha se ajo ishte një darkë mes miqsh, dhe që nuk mund të prononcohej më shumë.

“Ajo që mund të them unë sa i takon koalicioneve, është se unë nuk kam asnjë problem prej tyre, vetëm në rast se nuk ka një deformim të vullnetit të qytetarëve. Mandati duhet të vlejë për të gjitha partitë njësoj, qofshin në koalicion apo jo. Ai ishte një takim mes miqsh, informal, në momentin që do të kemi një takim zyrtar, unë do ta njoftoj këtë në media”, tha ajo për faxneës.

Më tej deputetja foli dhe për partinë e re Nisma, që sipas saj do të tentojë të ndryshojë mënyrën e politikbërjes në Shqipëri, ndërsa mohoi zërat se në krye të kësaj force do të jetë aktori i njohur Mirush Kabashi.

”Ne kemi bashkuar forcat me Nismën Thurje, ata kanë njerëz të tyre, Nisma Thurje do të vijojë të ekzistojë ende si shoqëri civile, ndërsa figurat kryesore do të mblidhen për të bërë një grupim së bashku, për të pasur pse jo dhe një ndikim politik. Po të shikosh tani të treja partitë politike janë njësoj, si një biznes familjar, që të gjithë bëjnë atë që thotë kryetari. Tani ata kërkojnë që të ketë një rotacion që të marri secili prej tyre fitimet. Po ta shikosh parlamentin, është e vështirë që të shohësh deputetë që debatojnë lidhur me idetë.

Qytetarët kanë humbur interesin te parlamenti, do të vijë një parti politike që përqafon idealet dmemokratike. Do të kemi personazhe të tjerë që do të na bashkohen në javët e ardhshme, do të jenë të rinj nga diaspora që duan të japin idetë e tyre. Partia do të quhet Nisma, pozicionin që unë do të kem do ta vendosin qytetarët. Jo nuk është e vërtetë që zoti Kabashi do të jetë kryetar i kësaj force politike, ai ka qenë një mbështetës i Nismës por nuk është e vërtetë që ai do të ketë një rol drejtues. Mendoj se duhet të jetë në dorën e qytetarëve që të zgjedhin se kush do të drejtojë atë partinë, pasi në këtë mënyrë mund të rinovohet drejtimi i partive direkt nga qytetarët”, tha më tej Hajdari.