“A e dini ju zoti ministër…”, gazetari ia përplas Majkos hallet e shqiptarëve jashtë vendit

Një letër e hapur ka shkuar për Ministrin e Diasporës Pandeli Majko nga gazetari Adi Shkëmbi i cili prej pak muajsh ndodhet në Kanada. Ai duket se ka vënë re disa probleme që kanë shqiptarët atje dhe këto ia përplas Majkos në zyrë për ti treguar se sfidat e shqiptarëve nëpër botë nuk zgjidhen me samite.

(Letër ministrit Pandeli Majko)

Javën e fundit përpos protestave të opozitës, nuk kaloi pa vëmendje edhe Samiti i Dytë që organizoi qeveria për Diasporën shqiptare. U fol e u shkruajt gjatë për kostot e këtij aktiviteti, shpenzimet për salla, regji qendrore, dreka, darka, pritje e përcjellje. Në fund ai u mbyll me dhënien e disa titujve si Ambasador i Kombit, për personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite në rradhët e komunitetit shqiptar, kudo ku ai ndodhet. E në fakt, nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe që shqiptarët që kanë bërë karrierë në dhe’ të huaj, të vlerësohen e të nderohen nga Tirana zyrtare.

Por gjatë këtyre tre ditëve të aktivitetit ndoqa me vëmendje nëse në Samit do të flitej për ndonjë lehtësi  të re që i është krijuar emigrantëve shqiptarë nëpër botë. Prita të dëgjoja nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko nëse do të tregonte ndonjë marrëveshje me vendet e tjera në ndihmë të emigrantëve. Por asgjë. Zoti Majko u mjaftua duke firmosur dekoratat e rastit, me shpresën që Samiti i tretë, do ta gjejë sërish ministër.

Teksa po shkruaj këto rreshta, zoti Ministër, sapo kam mbushur 6 muaj në Kanada dhe nuk pretendoj që të jem zëdhënës i problemeve që ka komuniteti shqiptar këtu. Por disa gjëra, ca me të provuar, e ca me të dëgjuar, do tua rendis më poshtë. Me shpresën që qoftë edhe 10%  e tyre të realizohen, ky shkrim ia arrin qëllimit. Në të kundërt, as unë, as Ju nuk humbasim gjë.

Në këto gjashtë muaj në Toronto, ku sipas disa të dhënave jo zyrtare, jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë me dokumente të rregullta, kam dëgjuar për probleme, të cilat nuk i ka as Kosova. Për informacionin tuaj, Kosova në Kanada përfaqësohet me ambasadë në Otava dhe konsullatë në Toronto, ndërsa ne kemi vetëm ambasadë. Ju mund të mendoni se nuk është e nevojshme të shtrihemi kaq shumë. Mbase keni të drejtë.

Së pari, a e dini ju zoti Ministër që një emigrant shqiptar me banim në Kanada duhet të udhëtojë minimalisht deri në Nju Jork për tu pajisur me pasaportë shqiptare? (Flasim për ata që e kanë ende në zemër dokumentin me shqiponjë e jo ata që nuk duan t’ia shohin më bojën). Mund të bëni një llogari të thjeshtë se sa i kushton një shqiptari pajisja me pasaportën e vendit ku ka lindur? Mund tua them unë, minimalisht 1 mijë dollarë (bileta vajtje- ardhje në Nju Jork; pajisja me vizë amerikane; një natë hoteli; 2 ditë shkëputje nga puna). Ka edhe një rrugë tjetër, të vijë e ta bëjë në Shqipëri, por kjo mund ti kushtojë ca më shumë.

Kaq e vështirë është që një pajisje e kompanisë koncensionare të instalohet pranë ambasadës sonë në Otava për ta mundësuar këtë shërbim? Si mund të pretendojmë ne të krijojmë kushtet për votimin e emigrantëve, kur atyre të Kanadasë u themi: “udhëtoni pak deri në Nju Jork për të marrë pasaportën, pastaj hajde e votoni në Kanada”. Së dyti, a e dini ju zoti Ministër që Shqipëria vend anëtar i NATO-s, me një sërë dokumentesh të besueshme shtetërore, ka bindur Italinë, Greqinë dhe Austrinë për të bërë marrëveshje për njohjen e patentave, por nuk ka një marrëveshje me Kanadanë? Një emigranti që ka qenë i pajisur me patentë për vite me rradhë në Shqipëri, i kushton sot të paktën 400 dollarë të pajiset me të njëjtin document edhe në Kanada. Meqenëse fati e donte që kjo qeveri të kishte një ministri edhe për Diasporën, dhe meqenëse interesi për të emigruar në Kanada është rritur shumë vitet e fundit, ju lutem zoti Ministër, hiqjani këtë kosto emigrantëve.

Së treti dhe ndoshta kjo mund të jetë më e rëndësishmja, ka të bëjë me mospasjen e një marrëveshje mes dy vendeve për njohjen e viteve të punës. Në 10 a 15 vitet e fundit shumë është bërë në këtë drejtim, me një sërë shtetesh janë nënshkruar marrëveshje të tilla, por një numër i konsiderueshëm emigrantësh që kanë ardhur në Kanada pas vitit 2000, kanë lënë mbrapa shumë vite pune si të siguruar, të cilat në emigrim do ti shumëzojnë me zero.

Zoti Ministër, siç ju thashë edhe në hyrje të shkrimit, nuk pretendoj të bëj zëdhënësin e emigrantëve shqiptarë në Kanada, pasi vetë jam një i sapoardhur e me 6 muaj nuk ke mësuar asgjë. Por ato që rendita janë temë e bisedave e atyre që lanë Shqipërinë për një jetë më të mirë diku larg. Në pritje të Samitit të Tretë, uroj që përpara se të firmosni dekoratat e radhës, ti hidhni një sy problemeve që vetë shteti shqiptar ua ka krijuar emigrantëve. Pasi këta të fundit nuk i duhen vendit vetëm për votime, apo për pushimet e verës…