A i është refuzuar viza për në SHBA? Zbulohet e vërteta e Petrit Vasilit (Foto)

Sot, gazetarja e Zërit të Amerikës gjatë një interviste me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, lajmëroi se “sipas burime tona Petrit Vasilit i është refuzuar viza nga SHBA”.

Kryemadhi i tha se Vasili kishte shkuar vitin e shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jo nuk besoj që i është refuzuar viza zotit Vasili. Nëse ka një njeri më pa probleme është Vasili, por nuk e vë dorën në zjarr, as për fëmijët e mi as për bashkëshortin tim. Por në çdo rast, çdo ndarje informacioni në raste të tilla me Ambasadën Amerikane dhe me LSI do të jemi të gatshëm. Por mos harrojmë se Vasili ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Lu për Reformën në Drejtësi”, tha Kryemadhi.

Gazetarja e VOA nuk dha shpjegime të mëtejshme, por “Panorama” ka siguruar foton e vizës amerikane të Vasilit lëshuar mbi pasaportë më 6 qershor të vitit 2018.