A ishte ky mandat i dështuar për Tonin Marinaj? Faktet thonë se…

4 vite më parë prezantoi me bujë programin për zhvillimin e Malësisë së Madhe. Ishte fushata e 2015-es dhe listën e gjatë të premtimeve, Tonin Marinaj e kishte ndarë me pika, prej ku malësore ju tha se të gjitha do të realizoheshin fale mbështetjes së qeverisë dhe vizionit që ai kishte për këtë njësi vendore.

Por vitet ikin shpejt, fjalët i merr era dhe të vetmet që mbesin janë veprat. Pak muaj nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur tashmë hap pas hapi nisin të bëhen bilancet e punës, në sfond na dalin edhe premtimet e bujshme që Marinaj bëri, e ku mes tyre, na rreshtohen edhe ato të parealizuarat.

E për fatin e tij të keq kur të gjitha janë të regjistruara dhe vendosen në peshore, më shumë ajo anon nga të pabërat, që në 4 vite kryebashkiakut malësor nuk i doli koha t’i rreshtoje sic bëri me fjalët në fushatë. 4 vite më parë një ndër premtimet më të bujshme ishte ai për rivitalizimin e liqenit, kthimin e tij në një pikë atraksioni për Malësine e Madhe që do të ishte jo vetëm zonë plazhi, por edhe argëtimi për vrapuesit, eksploruesit e natyrës etj.

Ja si u drejtohej malësorëve asokohe Marinaj: “Turizmi liqenor, ndërtimi i rrugës së bregut të liqenit të Shkodres në të gjithë gjatësine e tij. Rruga do të jetë për ecje dhe shëtitje me bicikleta, si dhe për automjete.

Do të ketë pika të organizuara dhe përcaktuara për lokale e pika shërbimesh me konstruksion të lehtë që nuk dëmtojnë mjedisin, krijimi dhe përshtatja e 2 deri në 3 vendeve për plazh, vende për zhvillimin e sporteve ujore, me plan dhe pa prishur ekologjinë. Kështu do ta bëjmë zonën më terheqëse për vizitorët vendas e të huaj”.

E të gjithë që kanë dëgjuar këto fjalë, sot mendojnë se investimi ka marrë fund, por të shkosh në terren jo vetëm ballafaqohesh me një pamje skandaloze, por gropat me ujë dhe baltë kanë degraduar më shumë se përpara 4 vitesh.

Gjendja e tyre nuk ka nevojë për shumë komente dhe Tonin Marinaj nuk ka patur kohë për të shkuar e për ti parë nga afër, sepse me siguri po përgatitet për fjalimet e reja dhe gënjeshtrat e radhës që do ti duhen për fushatën zgjedhore të këtij viti, ku synon marrjen e një mandati të dytë.

Nëse sukses i tij do të cilësohet pedonalja në qender të Koplikut, ajo më shumë i atribuohet nismës së qeverisë për të gjallëruar këto qendra të harruara në të gjithë vendin, sesa vizionit dhe punës së Marinaj, që bashkinë e Malësisë së Madhe premtoi ta kthejë qender të zhvilluar dhe e la zonë të harruar./ShkodraNews