A kanë zemër? Shikoni çfarë i bëjnë dy gratë më të pushtetshme të Shkodrës 5 jetimëve

Brenda këtij viti në Shkodër pritet që të çelet qendra e integruar ADISA duke ardhur në këtë qytet pas Tiranës, Fierit, Kavajës, Gjirokastrës dhe Krujës me qëllim për të patur shërbime të standardizuara si një prioritet i trumpetuar nga qeveria shqiptare.

Për këtë qendër po kujdeset vetë zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi. Qendra ADISA si pjesë e reformës në administratën publike parashikohet që të ofrojë mbi 330 shërbime të 9 institucioneve shtetërore mes të cilave edhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, Tatimet, Posta Shqiptare dhe të tjera.

Deri këtu gjithçka është në rregull. Çelja e kësaj qendre për të cilën po kujdeset Senida Mesi nuk do të jetë pa kosto madje nga ndokush edhe të pamimagjinuara. Kjo qendër do të bëhet tek godina ku ndodhet sot ish-konvikti “Safet Spahiu”. Momentalisht në katin e parë ku mendohet se do bëhen zyrat e qendrës ADISA ndodhen 5 jetimë të cilët trajtohen aty nga bashkia Shkodër sa i përket strehimit.

Burimet bëjnë me dije se tashmë jetimët në fjalë do të duhet që të largohen nga aty për tek ish konvikti i shkollës pyjore ku bashkia Shkodër e ka kthyer në një qendër multifunksionale për shtresat në nevojë. Në fakt zhvendosja nuk përbën ndonjë problem por fakti që këtyre 5 jetimëve i është thënë se u duhet që të paguajnë një shumë prej rreth 80 mijë lekësh të vjetër në muaj për qëndrimin në strehën e tyre të re që pritet të shkojnë. Personat në fjalë e kanë refuzuar kategorikisht një gjë të tillë duke qenë se ata e kanë të pamundur që ta paguajnë atë shumë monetare për shkak të vështirësive ekonomike që kanë dhe se pjesa më e madhe janë të papunë por edhe u takon strehimi duke qenë se janë jetimë. Këtyre 5 personave u është dërguar një letër që ta firmosin duke patur të shkruar edhe çështjen e pagesës por ata e kanë refuzuar dhe nuk pranojnë që të hedhin firmën duke qenë se nuk mund t’i paguajnë ato para.

Do të ishte një skandal i vërtetë në rast se jetimët aty ku do zhvendosen do t’i detyrojnë që të paguajnë para. Aq më tepër kur kjo bëhet në bashkëpunim mes vetë zëvendëskryeministres dhe kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi. Në dukje shfaqen si rivale por në fakt në një rast si ky bashkëveprojnë duke pranuar edhe këtë skandal në heshtje. Që të dyja janë në kohë për ta ndalur dhe për të reflektuar./ShkodraNews