A po izolohet për herë të dytë Shqipëria?

Ndërkohë që shqiptarët tallen nëpër rrjetet sociale me bashkëshorten e Macron, pasi anormaliteti u është bërë normalitet, një skenar i errët rrezikon të shfaqet në horizont. Dhe ky nuk do të ishte rasti i parë për Shqipërinë!

Le ta themi qartazi që në fillim: Shqipëria nuk është gati për të shkelur pragun e Evropës. Kjo është e padiskutueshme. Që kjo klasë politike e ka zhytur vendin në llum, që krimi ka zënë për fyti pushtetin, që korrupsioni është institucion, që mafia lulëzon e pastron para ditën për diell, që pushtetet janë ngatërruar dhe institucionet thelbësore që mbajnë shtetin në këmbë janë jashtë loje, dihet. Të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme që Evropa të ngrejë lart tabelën “Stop” dhe të deklarojë: Kemi kaq vite që ju themi, rregullohuni një herë, pastaj bujrum.

Ne kemi përgjegjësi dhe duhet t’i dalim për zot!

Për të qenë plotësisht të ndershëm duhet të pranojmë në krye të herës edhe një tjetër fakt: që Evropës aktualisht po i merren mendtë nga problemet e veta dhe zgjerimi është thjeshtë një hall më shumë për të.

Por a janë vetëm këto arsyet e refuzimit të paprecedentë të Francës dhe vënies së vetos për të bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërinë?

Po të lexosh me dritë ndezur, refuzimi i Francës është, as “po” me kushte dhe as “jo” për disa arsye që të bindin. Jo ne, por edhe vetë anëtarët e tjerë të BE-së. Macron ka vënë në rresht të parë të arsyeve numrin e azilkërkuesve shqiptarë. Për hir të së vërtetës ky është një shqetësim i hershëm i francezëve, i ngritur kohë më kohë nga Parisi zyrtar. Po, shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë, por a jemi vërtetë një popull aq i madh sa t’i dukemi problem Francës?
Vështirë!
Për të mos përmendur edhe faktin tjetër se, Franca e para e di se, shqiptarët kanë trokitur në derën franceze nga halli dhe nëse kufijtë hapen (siç tek e fundit ka treguar praktika e zgjerimit evropian me vendet e tjera të Evropës Lindore), të gjithë ata shqiptarë do të drejtohen në vende ku ka mundësi të reja punësimi e ku jo domosdoshmërisht është Franca.

Shqiptarët duan punë, jo azil!

Në Greqi, zyrtarisht janë më shumë se 300 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë atje, dhe greku nuk ka parë ndonjë të keqe prej tyre. Përkundrazi, shqiptarët kanë 30 vjet që bëjnë punë që grekët refuzojnë t’i bëjnë. Mbi 440 mijë shqiptarë jetojnë dhe punonjë në Itali, por edhe italianët nuk janë ankuar ndonjëherë për këtë. Natyrisht janë përmendur për krime e paudhësi plot, por tek e fundit a ka pyll pa derra në Francë, Gjermani apo Holandë?

Pra, pse kaq të prerë për t’u mbyllur shqiptarëve edhe vrimën e fundit ku po mundohen të thithin pak oksigjen?

Shqipëria ka probleme plot dhe fajtorë për këtë janë politikanët e saj. Por, pse dënimin po e merr populli? Sepse ata që do të përvëlohen nga ky vendim nuk janë as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha dhe as Ilir Meta. Po ta shohësh hollë-hollë të gjithë këta janë peshqesh i Evropës për popullin mjeran shqiptar. Këta shtrëngojnë duart me Macron e shokë dhe fryhen si gjela përballë të vetëve.

Nëse Franca do të na donte, pse nuk ia vuri kushtet klasës politike dhe t’u ndizte dritën e shpresës shqiptarëve? Pse nuk po ndëshkon politikanët, por popullin?

Evropa nuk po refuzon integrimin, Evropa po e izolon Shqipërinë.

Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë e sjelljes armiqësore me pasoja të rënda ndaj shqiptarëve. Historia është dëshmitare për këtë.

Ndërkohë, ndërsa fshati digjet, politika shqiptare po krihet nëpër takime planesh Schengeni Ballkanik, shtrëngime teatrore duarsh dhe një lufte të heshtur për mbizotërim territoresh. Nuk thuhet, por ndihet kudo. Nuk ka krisma (jo akoma), por horizonti nuk duket aq diellor sa politikanët tanë, syleshë e hundëzënë nga malli i bardhë, nuk duan ta shohin.

E si për ta përforcuar atë për të cilën historia na ka dënuar rëndë më shumë se një herë, indiferentizmin, budallallëkun dhe paaftësinë tonë për të marrë seriozisht problemet madhore që kemi, shqiptarët tallen nëpër rrjetet sociale me gruan plakë të Macron-it. I bien daulles e gajasen me barcaletat që prodhon realiteti absurd që kanë pranuar ta jetojnë si normalitet. Dhe më e keqja, refuzojnë të shohin.

Mos e dhëntë Zoti skenarin e antishqiptarizmit të radhës e aq më keq mundësinë e një aneksimi të radhës. Mos e dhëntë Zoti!

Kujtojeni historinë! Nëse nuk e dini, uluni e lexojeni.

Po nuk e morëm fatin tonë në dorë, ajo mund të përsëritet për të zezën tonë!/Pamfleti