Adem Bekteshi sulmoi mediat për dezinformim, por shikoni zgjidhjen epike që ka gjetur

Kriza e studentëve këtë vit ka bërë që universiteti “Luigj Gurakuqi” të gjeje zgjidhje epike për të mos kyçur degë të caktuara, që do të nxirrnin të papunë dhjetra pedagogë.

Kështu stafi akademik dhe senati i këtij universiteti nuk kanë hezituar të kopjojnë modelin që qeveria me një vendim të posaçëm e hoqi nga sistemi parauniversitar.

Klasat kolektive që nuk janë më në shkollat 9 vjeçare, e aq më pak të mesme, tashmë janë pjesë e universitetit, pasi disa degë që nuk plotësuan numrin e studenteve, janë bashkuar për ti mbajtur të hapura si: Fizikë – Matematika, Gjeografi – Historia, apo gjuhët e huaja.

Shkodranews ka zyrtarisht të dhënat e mbylljes së raundit të tretë të regjistrimeve, nga ku plot 8 degë rezultojnë të jenë larg parashikimeve dhe me krizën më të madhe të studenteve, duke njohur edhe braktisjen rekord të 28 viteve.

Kështu pedagogjika muzikore u mbyll me 3 regjistrime në të gjitha fazat e pranimit nga 27 kuota që kishte parashikuar. Fizika me 5 studentë nga 60 të parashikuar, po me 5 studentë nga 36 të parashikuar edhe gjuha Frenge. Gjermanishtja me 11 nga 49 të parashikuar, Italishtja 12 nga 53 kuota, 13 gjeografia nga 77 kuota të lira, 10 studentë historia nga 81 kuota dhe po me 10 studentë matematika nga 54 kuota të parashikuara. E megjithatë zgjidhja në fjalë nuk mbyll problemet dhe aq më pak nuk duhet kaluar në heshtje si nga senati, ashtu edhe vetë rektorati i universitetit.

Titullari Adem Bekteshi në nisje të vitit të ri shkollor nuk hezitoi të sulmojë mediat që sipas tij dezinfomonin mbi realitetin në këtë institucion të arsimit të lartë. Por shifrat dhe faktet janë më kokëforta se fjalët dhe këto degë tregojnë si për krizë, ashtu edhe për mungesë vizioni, prandaj reflektimi dhe gjetja e defekteve janë emergjente për një universitet që kërkon të jenë në elitën e vendit dhe të arsimit të lartë në Shqipëri.

Nëse kjo nuk bëhet, atëherë vitet do të kalojnë dhe kriza do të rritet edhe më shumë, duke bërë që ikja masive e studenteve të lërë Shkodrën në një gropë të madhe ekonomike dhe studentore./ShkodraNews