Afër sobës duke sfiduar të ftohtin, prefekti Çesk Millja harron për çfarë paguhet!

Pak reshje dëbore mjaftuan për t’u nxjerrë fytyrën e vërtetë të paaftësisë dhe keqmenaxhimit institucioneve në Shkoder. Bashkia e këtij qyteti nuk ishte e vetmja që dështoi në marrjen e masave, pasi krah saj rreshtohen edhe autoriteti rrugor shqiptar rajoni i veriut dhe si qershia mbi tortë prefektura e Shkodres, që ka edhe cilësinë e drejtueses së shtabit të emergjencave civile.

Në gjithë këto orë me reshje, ku rrugët paraqisnin problematika të mëdha për qarkullimin, e po ashtu trotuaret e kthyera në pista skish për qytetarët, nuk ja zunë sytë as punonjësve të bashkisë, as drejtuesve të ARRSH-së dhe as prefektit Çesk Millja, i cili preferoi që situatën ta ndjekë nga zyra e ngrohtë e prefekturës.

Qoftë edhe një mbledhje e vetme nuk u realizua në këtë institucion dhe aq më pak një komunikim me mediat për situatën, minimalisht për të informuar qytetarët që lëvizin në qytet, akse nacionale apo në zonat malore.

Edhe pse ata paguhen nga taksat e qytetarëve që vuajnë këto pasoja, ata nuk duan t’ia dijnë, por mjaftohen me shkresa burokratike që u dërgojnë ministrive, duke e përshkruar situatën me nota tërësisht jo reale, e që janë thjesht një mashtrim i dokumentuar e zeza mbi të bardhë. Aksi nacional nga Shkodra në drejtim të Hanit të Hotit është kthyer në pistë patinazhi, ku makinat rrëshqasin nga mosmarrja e masave dhe temperaturat e ulëta kanë nisur ta ngrijnë dëborën e rënë.

E njëjta gjendje edhe në unazat e qyteti, apo në rrugën nga Shkodra në drejtim të Postribës, rruga e Velipojës etj. Por keto nuk i kane bërë përshtypje as ARRSH-së dhe as prefekturës e cila do të duhej të kishte një raport të detajuar të gjendjes, e mbi të gjitha të ishte kërkuesja më e madhe e llogarisë për ato dhjetra firma që me taksat e shkodraneve dhe shqiptareve paguhen falë tenderave të majme për mirëmbajtje, por duke mos e bërë këtë gjë.

Prefekti i Shkodres do të duhej të ishte pse jo tërheqesi i vemendjes edhe ndaj kryetares së bashkisë, por edhe asistuesi me ndihmë nëse asaj i nevojitej për emergjencen disa orëshe që qyteti përballoi me borën, e ku në orët e mbrëmjes temperaturat e ulëta rrezikojnë ta ngrijnë duke e bërë shuëm herë më të rëndë gjendjen.

Heshtja e tyre flet në fakt më shumë se asgjë, ashtu si edhe mos veprimi, pasi janë bashkëfajtore të keqmenaxhimit të situatës dhe struken përballë një realiteti sa të shëmtuar dhe të rëndë. Duhet shpresuar vetëm që reshjet të mos zgjasin gjatë pasi Shkodra rrezikon të izolohet falë paaftësisë menaxhuese që kanë këto pushtetarë vendore./ShkodraNews