Afrimi i fushatës, më në fund qeveria i kthen sytë nga qarku i Shkodrës, një lajm i mirë për…



Sezonit turistik pa drita në Velipojë duket se po i vjen fundi. Afrimi i fushatës elektorale për shumë zona të vendit e ka edhe një të mirë, pasi qeveritë vendosin që 1 herë në 4 vjet të hapin thesin. Kështu po ndodh edhe këtë herë me qeverinë Rama e cila ka vendosur që të investojë në zonën e veriut, e konkretisht në plazhin më të madh të këtij rajoni siç është Velipoja.



Megjithëse komisioni qëndror i zgjedhjeve ja ka ndaluar fushatat me tendera e inaugurimeve, qeveria ka vendosur të mos tërhiqet dhe vendimi i radhës që ka kaluar në këshill të ministrave është ai për shpronësimin me interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga projekti i linjës 110 KV nënstacioni Bushat – nënstacioni Velipojë.



Prej vitesh një investim i tillë kërkohej për zonën turistike, e cila në verë përballej me ikje të vazhdueshme të dritave, pasi linja aktuale nuk përballonte fluksin e pushuesve që shkon në pikun e saj deri në 150 mijë. Shpronësimi në fjalë bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në shumën e përgjithshme prej 323 460 (treqind e njëzet e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekësh.

Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Që qytetarët të marrin shpronësimin, duhet të jenë të pajisur me çertifikatë pronësie dhe ta paraqesin ate tek OSHEE, si enti që kryen dhënien e parave.

Nga ana tjetër Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a, janë të ngarkuara të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të OSHEE, sh.a. Edhe pse nuk ka një afat se kur do të përfundojë ky investim, ai parashikohet të mbyllet sipas burimeve përpara sezonit veror, ç’ka do të ishte një lajm i mirë këtë vit për pushuesit që zgjedhin Velipojën, duke i dhënë fund historisë së ikjes së vazhdueshme të energjisë elektrike. /ShkodraNews