Agim Ismaili ka zënë “rob” Edi Ramën për pastrimin e parave të Olsit, drejtor vetëm ku ka lekë

Ish zv.drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, pasi zuri “mat’ Olsi Ramën në shkelje të ligjit, po e përdor këtë “aset” si presion ndaj Kryeministrit për të marrë poste të rëndësishme, nga drejtor i AKU tek Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Me “statusin” e të paprekshmit, s’do jetë çudi kur Ismailin, “zagarin” e Saliut ta shohim deputet dhe ministër të Ramës

Gjithkush është habitur me ngjitjen e shpejtë në karrierë të Agim Ismailit, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Nga një ish ithtar i PD-së dhe i Berishës e zyrtar i rangjeve të ulta në kohën e qeverisjes së tij, Ismaili tashmë është kthyer në “yllin” në ngjitje të administratës socialiste të Edi Ramës.

Dikur ishte nëndrejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të parave dhe menjëherë pas marrjes për vete të “tepsisë” së pushtetit, u emërua nga Rama drejtor i AKU.

Pasi mori në dorëzim sigurinë ushqimore, bëri disa goditje selektive duke bllokuar produkte ushqimore të skaduara dhe lejuar futjen në Shqipëri të mishit e produkteve të tjera kancerogjene.

Si pasojë e favorizimit të këtyre bizneseve të mëdha, klientelë e qeverisë, Agim Ismaili jo vetëm që shkatërroi prodhimin vendas, por helmoi dhe popullsinë, e cila i konsumon këto helme.

Për këtë “punë të mirë”, Edi Rama e ngriti në hierarkinë drejtuese në administratë, duke e emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve shqiptare, tashmë të përfshirë në skandale.

Por, nëse të gjithë drejtuesit e tjerë të administratës janë të cënueshëm nga Edi Rama dhe për gjënë më të vogël shkarkohen menjëherë nga detyra, Agim Ismaili nuk “tundet” nga posti.

Arësyeja e vërtetë se përse Agim Ismaili njeh vetëm ngjitje në karrierë, duke u emëruar në poste që kanë lekë dhe trafik influence, është se ai e ka zënë “rob” Edi Ramën.

Përzierja e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, në maskarallëqet e pastrimit të parave ka filluar që nga aksioni “Marrëzia e Fundit” i mbylljes së lojrave të fatit pa leje.

Numri i tyre ishte 834, por që më pas mbërriti në mbi 4200 të tilla, duke u zgjeruar me klientët, dhe ku Olsi “investoi” paratë e pista.

Pasi dështoi me dhënien e mbledhjes së TVSH-një klienti të tij, apo dhe disa zona ekonomike, Olsi Rama hyri rëndshëm në të gjitha bizneset, pa përjashtuar koncesionet përmes PPP-ve, duke pastruar paratë e pista që janë miliona euro e dollarë të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pikërisht një fakt të tillë ka kapur dhe Agim Ismaili, në momentin kur ka qënë zv.drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe zënien “mat” të Olsit e përdor për të vënë nën presion Ramën, duke i “zhvatur” poste të rëndësishme dhe marrë statusin e të paprekshmit.

Nuk do të jetë çudi kur Ismailin ta shohim ndonjë ditë deputet dhe ministër të Ramës./Pamfleti