Ahmetaj: Po diskutohet paketa e dytë ekonomike

Koordinatori për situatën e Emergjences, Arben Ahmetaj deklaroi se brenda institucioneve qeveritare është duke u diskutuar paketa e dytë ekonomike. Në këtë paketë do të synohet të prëfshihen disa kategori, që janë lënë jashtë në paketën e parë.

“Është duke u diskuuar. Po diskutohet me detaje mundësia, burimet, por sigurisht që është dinamike”, tha Ahmetaj i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se kur parashikohet të konkretizohet kjo paketë.

Ahmetaj tha në studion e “Opinion” që mes kategorive që po shihen për t’u përfshirë në paketën e dytë, janë prindërit që duhet të punojnë, por kanë fëmijë të vegjël dhe nuk kanë mundësinë t’i dërgojnë në kopshte apo shkolla, punonjësit e shkurtuar nga sipërmarrjet e mëdha private, apo dhe biznese të lejuara për të punuar, por që realisht nuk funksionojnë dhe nuk gjenerojnë të ardhura.

“Por një gjë po ju them. Sot është data e fundit që mendohet që këtu do jetë informacioni i fundit bazë që do merret për listëpagesat”, tha Ahmetaj duke iu referuar deklaratave të bizneseve.

Lidhur me mundësi abuzive nga ana e bizneseve, Ahmetaj u shpreh: “Jemi duker skanuar ndërmarrjet që heqin njerëz dhe deklarojnë të njëjtin nivel pune. Në këtë rast hyn në krim tatimor, në gjobë për punonjësit. Historia nuk është e thjeshtë për çdo lloj manipulatori”.