Ai ia doli, na bëri krenar të gjithëve, e deshën shumë. Si i bindi britanikët 18-vjeçari mos ta dëbonin

Ai quhet Stiven Bregu dhe është 18-vjeçari nga Shqipëria i cili ia ka dalë, ka arritur të mbledhë firmat që ta mbajnë në Britani.

Historia e tij u bë e njohur para 1 muaj teksa kishte marrë lajmin se do e deportonin nga Britania. Një peticion filloi të nënshkruhej për të ndaluar deportimin e tij, peticion që mori 100 mijë firma dhe tashmë shqiptari mund të qëndrojë në Britani.

Historia

Stiveni u largua nga Shqipëria dhe udhëtoi ilegalisht drejt Britanisë së Madhe 5 vite më parë në 2015. Pasi mbërriti atje ai u braktis në rrugë nga trafikantët.

Ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë dhe nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Më pas ai u dërgua në një qendër për të mitur ku la mbresa për aftësinë e tij për të mësuar.

Pa ditur gjuhë dhe i vetëm sërish ai arriti të merrej në kujdestari nga një familje në Bristol e cila i dha mundësi edukimi.

Ai ka kaluar provimet në nivel shumë të mirë. Stiven gjithashtu ia ka dalë të sigurojë një ofertë shumë të mirë nga një firmë menaxhimi të pasurive për shkak të aftësive të tij të shkëlqyera në matematike. Pas përfundimit të gjimnazit ai ia doli të vleresohej me notën më të lartë dhe ishte mjaft i zoti në matematikë. Ndërkohë ai fitoi mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Marvin Rees dhe më pas iu dha e drejta të ishte mentor i nxënësve të rinj.

Pasi mbushi moshën 18 vjeçare ai humbi të drejtën e qëndrimit dhe për këtë arsye ai aplikoi për të qëndruar dhe më tej në Britani të Madhe. Kërkesa e tij u refuzua pasi ai nuk u kualifikua për azil sipas rregullave të emigracionit.

Familja që e kishte në kujdestari dhe miq hapën një peticion që arriti 100 mijë firma, pas kësaj atij iu dha një mundësi për të qëndruar në Britani pasi apeli i tij u pranua.

Mësuesi i tij kujdestar Rob Shaë është shprehur i lumtur që apeli i tij doli me sukses. “Stiven tani ka dëgjuar rezultatin e apelit të tij dhe unë jam i kënaqur t’ju them se ai ka qenë i suksesshëm dhe ka të drejtë të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Shaë.

Autoritetet në Britani megjithatë kanë dy javë kohë që mund ta apelojnë këtë vendim por nëse kjo nuk ndodh, Stiven do të qëndrojë në Britani dhe do vijojë studimet.