Ajo qante dhe bërtiste në gjyqe, sot Zamira që humbi djalin në Gërdec bën deklaratën e fortë

Besojmë se është e vetmja ish banore e Gërdecit emrin e të cilës e kemi fiksuar që kur ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë, pasi ajo ka ulëritur shpesh herë në dyert e gjykatës për të kërkuar që drejtësia e humbjes së djalit të saj të vihet në vend.

Pas 11 vitesh nga ngjarja, sot Zamira ndihet e lodhur dhe e zhgënjyer, ndaj e vetmja gjë që e mban në jetë është zbardhja e kësaj tragjedie.

“Zotit ia fal, por robit jo. Atyre që ma bënë nuk ua fal kurrë jetën e atij. Një fëmijë i lindur në vitin 2000 të vdesë nga baruti e predha, që nuk i di çfarë janë? S’i kam borxh askujt, veçse më kanë jetën e gjakun e atij fëmije. Për të nuk do të rresht asnjë sekondë, sa të kem jetën time, do të kërkoj drejtësi, do t’i lëviz të gjithë gurët e kësaj bote. Kryetari i opozitës e çoi pallatin pas meje, (në Strasburg) Delijorgji i ka bërë ankimimet pas meje dhe mori dëmshpërblim, pse i kaluan afatet e paraburgimit, ka marrë dëmshpërlbim për Gërdecin, kupton se ku jetojmë? Gërdeci nga institucionet nuk u hetua si vepër korruptive, se ndodhi nga babëzia për parà dhe askush nuk ka hetuar”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj.

Zamira, nëna që humbi djalin gjatë ngjarjes së ndodhur në Gërdec, përmes “Top Story” thotë që jetën e djalit të humbur nuk e fal kurrë. Për të nuk do të reshtë asnjë sekondë duke kërkuar drejtësinë e munguar.