Ajo që “frikëson” Vllazninë në Kategorinë e Parë, sinjali i parë u dha

Kategoria e Parë nuk është e njëjtë nga ajo Superiore. Jo vetëm nga emërtimi, por edhe nga përbërja e skuadrave, rivaliteti në fushë, por edhe vëmendja që i kushtohet. Ndeshjet e Superiores transmetohen të gjitha në Tv. E kundërta ndodh tek Kategoria e Parë.

Në këtë kategori transmetohen 2 apo 3 ndeshje në javë. Edhe këtë javë janë përzgjedhur 2 sfida për tu transmetuar live dhe nuk dihet nëse Burreli – Vllaznia do të transmetohet direkt. Në këtë rast, lind “frika” tek shkodranët nëse do të ketë vendime të njëanshme ashtu siç ndodhi dje për kupë, pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar, Burrelit.

Por, drejtuesit e Vllaznisë e kanë vetë në dorë të zgjidhin një problematikë të tillë. Ashtu siç dërgojnë një kamër për ndeshjet e moshave, të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe me ekipin e parë në ndeshjet e kampionatit. Kjo për të eleminuar vendimet “pa dashje” të gjyqtarëve të ndeshjeve.

Siç e theksuam edhe dje, të fitosh në fushën kundërshtare në Kategorinë e Parë është tepër e vështirë. Për këtë, Vllaznia duhet të mësohet, të jetë e përgatitur për çdo vendim të gjyqtarëve. Ky është “rrisku” pas rënies nga Kategoria. Përveç presioneve të ndryshme, lojtarët duhet të tregohen të kujdesshëm edhe në ndërhyrjet e tyre në fushë.

Vllaznia konsiderohet favoritja kryesore për të zënë vendin e parë në fund të kampionatit, por rruga nuk do të jetë aspak e lehtë. Përkundrazi, ajo ndoshta do të ketë kundër të gjitha skuadrat, por jo vetëm. Prandaj, drejtuesit duhet të marrin masat, sa nuk është vonë e nëse duan të ngjiten në Superiore brenda këtij sezoni. /ShkodraNews