Akademiku Kabo: Kur të ndodhë pastrimi në politikë, ne do të shohim llahtare

Tymanja e akuzave të ndërsjellta mes politikanë në Shqipëri, që rrallëherë adresohet në organet e drejtësisë, është njehsuar nga akademiku Përparim Kabo me “kodin e mafies”, ku rivalët paralajmërojnë njëri-tjetrin në distancë.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Top Talk” në televizionin “Top Channel”, Kabo është shprehur se deklarimi i pasurisë dhe ligji antimafia i kanë nxjerrë zbuluar politikanët e korruptuar dhe se “kur të ndodhë pastrimi në politikë, ne do të shohim llahtare”.

“Kjo sjellje është sipas kodit të mafies, duke paralajmëruar njëri tjetrin në distancë: nëse unë kam përfituar në një tender, ti ke përfituar në një tender tjetër. Prandaj hajde të bëjmë një pakt dhe të mos i prekim këto plagë. Deklarimi i pasurisë dhe ligji antimafia i ka nxjerrë zbuluar. Kur të ndodhë pastrimi në politikë ne do të shohim llahtare”, tha Kabo.

Teksa gazetari Denis Dyrnjaja është treguar skeptik për kryerjen e këtij procesi, pasi sipas tij janë këta politikanë që kanë po ashtu “çelësat e pastrimit”, Kabo iu është referuar precedentëve në historinë e Shqipërisë, duke ngritur disa pyetje retorike, për të nënkuptuar se e mira mund të vonojë, “por, fundi dihet”. “A besonit ju se do të binte dikatura komuniste kur vdiq Enver Hoxha? Por ja që komunizimi ra. E besonit ju që do binin firmat piramidale? Por ja që firmat piramidale ranë. E besonit ju se do arrestoheshin prokurorë dhe gjyqtarë? Ja që po arrestohen. Bota nuk mund të rrëzohet nga e keqja, mund të vonohet, por fundi dihet.”

Sipas Kabos, kjo klasë politike ka prekur fundin, ka humbur besueshmërinë dhe aftësinë për të kryer detyra të rëndësishme, siç është integrimi, duke patur si përfitim madhor varfërimin e popullit.

Duke krahasuar procesin e rregullt zgjedhor të zhvilluar në Kosovë me precedentët e pamunguar të zgjedhjeve problematike në Shqipëri, Kabo tha se ndryshimi qendron te humbja e besueshmërisë së klasës politike dhe sepse sistemi zgjedhor është i inkriminuar. Sipas tij, goditja e krimit është parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Lexo edhe: