Akuza të rë̄nda ndaj KEIT/ “Bënte plazh kur i luteshim për mjekime”, doktor Skerdi reagon urgjentisht. Çfarë ndodhi me pacienten që bëri gjoksin



Pak ditë më parë, një shtetase rumune shprehu pakënaqësi ndaj shërbimeve të klinikës “Keit” te redaksia e “JOQ”. Sipas deklaratës së saj, operacioni i zmadhimit të gjoksit ishte shoqëruar me infektim të rëndë.



Pas ankesës së saj ka reaguar dhe doktori i klinikës, Skerdi Faria. Me anë të disa postimeve në Instastory, ai ka shkruar se sallat dhe të gjitha ambientet e klinikës janë ndërtuar duke respektuar standardet më të larta të Evropës.



Doktori ka theksuar se rreziku për infeksione të plagës kirurgjikale varion nga 0.5 deri në 5% të operacioneve. Më pas, ai ka sqaruar të gjithë ngjarjen, që nga momenti kur shtetësja rumune është paraqitur në klinikën e tij.

Sipas deklaratës së doktor Skerdit, pacientja ka nisur me kryerjen e mjekimeve tre ditë pas operacionit dhe pas disa ditësh i ka ndërprerë. Ajo nuk është paraqitur në klinikë për tetë ditë rrjesht.

Ai ka shkruar se pacientja është nisur për në Angli, ndonëse mjekët e klinikës nuk ia kanë këshilluar. Ajo është rikthyer për një rikontroll në datë 7 shtator dhe është paraqitur tre herë në klinikë. Në statusin e tij, doktor Skerdi bën me dije se rumunja është nisur sërish në Angli pa miratimin e mjekëve.

Ai ka shtuar se pacientja nuk i ka dëgjuar këshillat, ka shkuar në plazh, ka bërë tatuazhe dhe nuk është bazuar në fjalët e mjekëve. Skerdi e mbyll statusin duke theksuar se stafi ka respektuar të gjitha protokollet mjekësore pas ndërhyrjes por rumunja nuk është treguar e përgjegjshme.

Statusi i plotë:

“Fillimisht dua t’ju informoj që në Klinikën KEIT sallat e operacionit, reparti e të gjitha ambientet janë të ndërtuara dhe është investuar duke respektuar të gjitha standardet më të larta Europiane për të garantuar maksimalisht sterilitetin, higjenën, jetën e shëndetin e pacientit. Po ashtu, gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale respektohen në maksimum të gjitha procedurat sterile dhe rregullat higjenike për të evituar infeksionet me origjinë intra-spitalore. Sidoqoftë, në këtë profesion, janë shumë të rëndësishëm bashkëpunimi, ndërgjegjshmëria, kujdesi dhe respektimi i protokolleve mjekësore, mbi të gjitha nga ana e pacientit, për të arritur një rezultat optimal, duke reduktuar në maksimum rrezikun e komplikimeve. Sipas literaturës shkencore në nivel ndërkombëtar, rreziku për infeksione të plagës kirurgjikale varion nga 0.5 deri në 5% të operacioneve dhe të gjitha këto informacione janë të shprehura qartë në konsensusin e informuar dhe kontratat, që si çdo pacient, edhe pacientja nga Rumania me banim në Londër ka lexuar e firmosur në gjuhën angleze.

Po ju analizojmë me fakte, si ka qenë realisht situata dhe na vjen keq që është deformuar çdo ngjarje, duke mos treguar aspak të vërtetën. Punojmë me përkushtim dhe seriozitet dhe kujdesemi maksimalisht për çdo pacient, sidomos në rastet e rralla kur shfaqen komplikacione pas ndërhyrjes. Pacientja në fjalë ka bërë ndërhyrjen e zmadhimit të gjoksit me 6 korrik të vitit 2020 pranë klinikës KEIT, me një nga kirurget italianë të specializuar për zmadhimin e gjoksit. Para ndërhyrjes, pacientja sëbashku me partnerin e saj, na kanë paraqitur si kërkesë që gjoksin ta bënte një numër shumë më të madh se ai që i vendosi kirurgu. Sigurisht që nuk e kemi pranuar këtë kërkesë, pasi në radhë të parë vendosim sigurinë e shëndetit të pacientit dhe kemi sugjeruar proteza më të vogla. Me insistimin e vazhdueshëm të pacientes, kirurgu është detyruar të vendosë proteza më të mëdha se ato që do të pershtateshin më mirë për trupin e saj dhe i kemi shpjeguar me hollësi që do të kishte rrezik më të madh që të mos mbyllej plaga si normalisht. Ndërhyrja ka shkuar shumë mirë dhe nuk ka patur asnjë komplikacion gjatë apo direkt pas saj. Tre ditë pas operacionit pacientja ka filluar me kryerjen e mjekimeve. Sipas skedës së mjekimeve (fotot janë bashkëngjitur me artikullin) pacientja ka kryer mjekimin e parë me datë 9 korrik, mjekimin e dytë e ka kryer një ditë me vonesë me datë 11 korrik, mjekimin e tretë e ka kryer një ditë me vonesë me datë 14 korrik, mjekimin e katërt me datë 16 korrik, mjekimin e pestë e ka kryer me datë 17 korrik, mjekimin e gjashtë me datë 18 korrik dhe me pas nuk është paraqitur për mjekimet e rradhës deri më datë 26 korrik. Ajo është larguar pa dijeninë e mjekëve dhe kirurgëve me pushime dhe megjithë insinstimin e staffit te KEIT, nuk është paraqitur në klinikë për 8 ditë rresht. Bashkëngjitur do të gjeni bisedat e pacientes me koordinatoren e klinikës, ku e vërtetojnë këtë fakt. Gjithashtu, në faqen e saj në Tik Tok janë edhe dy video në plazh, në Drimadhës. Videot janë publikuar në 20 dhe 23 korrik, në datat kur ajo duhej të paraqitej në klinikë, për të mbyllur pjesën tjetër të mjekimeve. Gjatë kësaj kohë e kemi kontaktuar disa herë të vijë në klinikë, por ajo nuk ka pranuar dhe na ka shkruar që mjekimet po i vazhdon në një spital të vogël në Himarë. Pasi është kthyer nga pushimet ka rifilluar sërish të kryejë mjekimet, deri më datë 31 korrik, tashmë me plagën të përkeqësuar nga ekspozimi në Diell dhe në ujin e detit.
Me sugjerimin e kirugut, më datë 2 gusht 2020 është bërë revizioni i plagës, pasi gjatë kohës që pacientja ka qenë me pushime plaga ishte infektuar. Mjekimet pas kësaj procedure nuk i ka mbyllur të gjitha në KEIT dhe pas datës 8 gusht është larguar në Angli, duke na thënë që do i vazhdojë vetë edhe pse e kemi këshilluar të qëndrojë dhe t’i kryejë në klinikë. Gjatë kohës që ka qenë në Angli, i kemi kërkuar te ndjekim rregullisht, çdo ditë, ecurinë e shërimit të plagës nëpërmjet fotove dhe videove. Pacientja nuk është treguar çdo ditë korrekte me dërgimin e këtyre informacioneve dhe me marrjen në kohë të mjekimeve me justifikime të ndryshme si: “Farmacitë nuk janë hapur”, “nuk e gjej dot këtë ilaç në Angli”, “sot harrova” dhe shumë të tjera të cilat do t’i lexoni te bisedat me foto. Plaga e gjoksit të djathtë mbyllej me vështërsi për arsye të pakuptueshme, ndërsa gjoksi i majtë ishte shëruar totalisht.

Me insistimin e kirurgut dhe mjekëve, në datë 7 shtator pacientja ka ardhur në klinikë, nga Londra, për rikontroll. Për të përshpejtuar mbylljen e plagëve, i kemi vendosur pajisjen e VAC dhe kemi insistuar që të qëndronte pushim në Tiranë, derisa plaga të mbyllej totalisht. Gjatë kësaj kohe, pacientja është paraqitur tre herë në klinikë për rikontroll, me datë 8, 11 dhe 22 shtator. Pacientja vendosi pa pëlqimin tonë të largohej për në Angli më datë 23 shtator dhe për një farë periudhe plaga dukej se po mbyllej totalisht. Pasi shkëputi komunikimet me ne dhe na dërgonte foto apo video vetëm me insistimin tonë, në datë 2 tetor na njofton se gjoksi ishte i enjtur dhe nga një zonë e vogël e plagës po rridhte një lëng transparent. I kemi këshilluar urgjent të nisë mjekimet me antibiotikë enovenozë e barna të tjera. Mjekja e ka ndjekur çdo ditë duke i kërkuar foto e video dhe duke e këshilluar si duhet t’i kryejë mjekimet. Me datë 25 tetor, ka bërë një tatuazh i cili edhe ai është infektuar e na ka dërguar edhe fotot. Ndërkohë ka vazhduar edhe me mjekimet për gjoksin. Me datë 12 nëntor na ka njoftuar që gjoksi ka pasur rrjedhje një natë më parë, por atë ditë kishte ndaluar. Nga kirurgu i është kërkuar të kryejë një EKO, por pacientja dhe partneri i saj janë shprehur që nuk kanë ku ta bëjnë. Me datë 14 nëntor na ka njoftuar që ndihet mirë dhe do shkojë në Rumani. Me sugjerimin e kirurgut, i kemi këshilluar të vijë urgjent në Tiranë që të bënim vizitën, egzaminimet e nevojshme, EKO dhe eventualisht të hiqnim protezën me shpenzimet tona. Pacientja refuzoi gjithçka dhe u drejtua në Rumani ku kreu operacionin e heqjes së protezave.

Mjekët e klinikës kanë qenë çdo ditë në kontakt me pacienten, ndryshe nga ajo që ka komunikuar në portalin tuaj. E kemi këshilluar çdo ditë të marrë mjekimet e duhura dhe t’i kryejë ato rregullisht. Jemi treguar shumë të kujdesshëm, duke respektuar të gjitha protokollet mjekësore pas ndërhyrjes, por pacientja nuk është treguar aspak e përgjegjshme me zbatimin e këshillave dhe jo bashkëpunuese.

Dr. Skerdilajd Faria”, ka shkruar doktor Skerdi.