Alarmi SOS për qarkun e Shkodrës, ja ku kërkohen mjekë në mënyrë urgjente


45 vende vakante në sektorin e shëndetësisë janë shpallur nga ministria e linjës për qarkun Shkodër, pjesa më e madhe e tyre për qendrat shëndetësore në qytet, në Bashkinë Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Pukë. Deri në 31 janar të këtij viti, mjekët e përgjithshëm dhe ata specialistë kanë të drejtë të aplikojnë për vend pune.


“Aplikimi është i hapur për të gjithë mjekët që janë në kërkim të një vendi pune dhe që kanë lejen e ushtrimit të profesionit. Kandidati mund të aplikojë për më shumë se një pozicion”. Përkatësisht mjekët që do të aplikojnë për këto vende të lira duhet të dorëzojnë: kurrikulumin; diplomën universitare dhe listën e notave; diplomën e specializimit (nëse kanë); lejen e ushtrimit të profesionit nga Urdhri i Mjekut; dëshminë e gjuhës së huaj (nëse kanë); dëshmi/certifikata të kualifikimeve/ trajnimeve në fushën e shëndetësisë si dhe një fotokopje të Librezës së Punës.


Ndërkohë për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Në rast se për një pozicion pune paraqitet një kandidat i vetëm, ai do të merret në intervistë për të diskutuar mbi dokumentacionin e paraqitur dhe më pas ministria autorizon direkt drejtorin e qendrës shëndetësore për lidhjen e kontratës së punës me kandidatin.


“Në rast se për një pozicion pune paraqiten më shumë se një kandidat, atëherë do të organizohet një procedurë konkurrimi me dosje. Për vazhdimin e procedurës kandidatët do të njoftohen me e-mail”,-thotë më tej Ministria e Shëndetësisë. Ajo c’ka bie në sy është fakti se për qarkun Shkodër nevojat për mjek janë të larta, duke treguar edhe njëherë se ky sektor ndodhet drejt një krize, pasi mjekët e vjetër po dalin në pension dhe të rinjtë në masë preferojnë të ikin nga Shqipëria.


Nga të dhënat e siguruara nga ShkodraNews, mësohet se në qendrat shëndetësore më shumë se 40 % e mjekëve janë drejt pensionit, apo ka edhe nga ata që kanë mbushur moshën, prandaj nevoja për ti zëvendësuar është më shumë se emergjente. Zona të tëra janë aktualisht pa një mjek dhe shërbimi mbulohet nga mjeku më i afërt i zonës ngjitur. Një alarm i tillë ishte dhënë me kohë, që prej largimeve të para të mjekeve drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian /ShkodraNews/