Aleksander Moisi në kujtimet e aktorit austriak Fritz Eckhardt

Nga Pjeter Logoreci

Për teatrin gjermanishtfolës, aktori Franz Eckhardt, ishte një ndër figurat e dashtuna e sidomos për publikun vjenez. Edhe pse kishte krye akademinë e arteve në Vjenë për art dramatik, ai ishte edhe këngëtar, skenarist, libretist, kabaretist e regjisor.  Nana e tij, një aktore teatri, e la jetim në moshen 9 vjeçare, ndërsa i ati, që ishte drejtor teatri në Vjenë, u vra nga nazistët gjatë fushatave kundër hebrejve.

Fritzi u ngjit në skenë si aktor ndihmës qysh në adoleshencën e tij, por karrieren e tij artistike, si profesionist, e filloj në moshen 24 vjeçare, si aktor i Teatrit Popullor të Vjenës përkrah aktorëve ma në za të kohës. Ai ishte multitalent. Përveç aktrimit ai shkruante pjesë të shkurta komedie apo muzikë, por i detyruem të mbetej si autor anonim  nga frika e përndjekjes si çifut nga nazistët. Gjatë karrierës së tij shumë vjeçare, ai u nderue me urdhënat dhe çmimet ma të nalta për një artist, në teatër, film, si libretist e kabaretist.

Si autor ai shkroj disa libra ndër të cilët edhe një libër biografik me titullin “ Një aktor duhet të jetë i gjithëanshëm”, ku përshkruhet jeta e karriera e tij dhe përfshirja e tij në fushën e teatrit, muzikës, filmit por edhe kujtime e anektoda që i ndodhen në jetë dhe në skenë, ku përfshiheshin,  aktorë e personalitete të famshëm.

Një ndër figurat e dashtuna dhe të respektueme për Fritzin ishte edhe aktori me origjinë shqiptare, gjeniu i skenës botnore Aleksander Moisi. Nëpërmes këtij shkrimi, dëshiroj me sjell për lexuesin shqiptar disa ndodhi apo anektoda që Fritz Eckhardt përjetoj me Aleksandrin tonë.

SONY DSC

Takimi i aktorit vjenez Fritz Eckhardt me gjeniun e skenës Aleksander Moisiun.

Fritzi tregon: “Ma në fund më erdhi mundësia që të kem një rol, por një rol të vërtetë, në dramen e Gerhart Hauptamann “Shpëtimtari i Bardhë”, që ishte në repertorin vjetor të Teatrit Popullor të Vjenës. Kjo dramë ishte zgjedhun nga drejtuesit e teatrit vetëm për shkakun se roli kryesor, ai i mbretit të Aztekëve, Montezumës, një rol që erdhi në këtë teatër si shkollë e plastikës, interpretohej nga Aleksander Moisiu, që ishte ylli e ma i njohuni i ditës.

Vetëm mendimi se do të ndodhesha në skenë përballë gjigandit Aleksander Moisiu, se do ta kem partner, ishte emocioni më i madh në jetën time të sapo fillueme teatrore. Në të vertetë roli im ishte vetëm një frazë, por një frazë në vargje dhe tepër e gjatë. Siç ishte zakon të “trajtoheshin” asokohe aktorët e rij, një ditë para premierës, një asistent i regjisorit u muer pak çaste me mue, tuj më “mësue” që batuten ta thojshe me ton të naltë, gati si ulurimë.

Natën e premieres, në rolin e një ushtari spanjol nga vjeti 1520, isha i veshun me jelek me gjoksore llamarine që natyrisht dukej si prej çeliku, me çizme të mëdha e pantallona shumë ngjyrëshe, e në kokë nje helmetë të randë e të frigshme stolisë me pupla. Në dorë mbaja të veshuna doreza me mbulesë metalike. I transformuem në një “monstër” lufte, me të ndigjue “batutën” e pritun u futa me vrull në skenë  duke citue me egërsi, me fytyrë nga publiku që kishte mbushë plot e përplot teatrin, frazën time të vetme.

Mandej heshtje. ….S’po ndodhte asgja. ….Pat një pause aq të gjatë sa fillova të mendoj se ishte fundi i dramës dhe pritshe ramjen e siparit, por ai s’ po binte…

…por një lëvizje mjeshtrore e të madhit Moisi, i cili si zakonisht qëndronte afër gropës së  suflerit, më bani që të frymoj përsëri. Me disa levizje magjepsëse prej princi të vertetë, Moisiu erdhi drejt meje duke përshpëritur lehtë sa dhe unë mezi e dëgjova:…”më godit… a ndjeve, më godit”… Unë s’po kuptojshe asgja dhe qëndrojshe si i shushatun e fytyra ime kishte marrë një pamje qesharake nën helmeten e shemtueme. Një fishkëllimë e gjeniut sikur me solli në vehte:…”Të thashë që të më godasësh, ti idiot”…

Ah, mendova, goditja ime duhet të jetë “shenja” kur ai duhet të fillojë batuten e tij…., dhe pa u mendue gjatë, e godita. Jo me t’gjithë forcën, por aq fort sa trupi i dobët i Moisiut u lëkund. Por përsëri Montezuma Moisi, duke lëvizë drejt meje, me za të butë më drejtohet: …”Pse s’po më godet fort?”

I çuditur mendova: a thu do të jetë teksti ashtu, që të kërkojë një goditje ma të fortë? Dhe godita, por kësaj herë me të gjithë forcën time prej 17 vjeçarit, me grushtin e mbështjellë  me dorezë metalike. Moisiu fluturoj mbi parkmakët e skenës që e mbajtën pa ra në publik…mandej duke u ngrit ngadalë, me sy lutës mu drejtue me fjalët e rolit…: “Me bjer, me godit për vdekje mik”… Atë natë unë, me të gjithë seriozitetin tim, rraha në skenë, sipas të gjithë rregullave të artit, yllin botnor Aleksander Moisiu.

Menjëherë mbas shfaqjes, me za të butë ashtu siç ishte dhe vetë ai, Moisiu mu drejtue: “Herë tjetër lexoje tekstin e dramës”… I skuqun në ftyrë i tregova se e njihja tekstin, por aty nuk shkruhej se duhet ta godisja, që edhe asistent regjisori nuk ma kishte thanë këtë detaj.

Sot, nuk mund të imagjinoj se çfarë unë do ti thojshe një aktori të ri, sikur ai të më rrihte në skenë edhe pse jam ma i fuqishëm e mbi peshen e Moisiut.

Moisiu si Kardinali Richelieu

Një herë, i ftuem në teatrin e St. Polten, Moisiu interpretonte rolin e Kardinalit Richelieu në dramen me të njejtin titull të një autorit françes, që me të drejtë sot asht pjesë e harrueme. Si zakonisht pat vetëm një provë të Aleksandrit me aktorët vendas të cilët e kishin mësuar pjesën përpara. Moisiu i cili ishte ulur qetësisht dhe po vëzhgonte proven, po i tregonte një shërbëtorit që lajmëronte hymjen në skenë të Kardinalit/Moisi, se si duhej ta thonte batuten:…”ndigjo miku im, ti duhet të jesh i kujdesëshëm në këtë lajmërim mbasi Kardinali Richelieu në kohën e tij ishte burri më i randësishëm i kishës, si Papa…më kupton? Mos u ban qesharak, mos të merret goja, mos bëlbëzo ashtu si në provë, por me za të fuqishëm dhe stoik lajmëro: …Shkëlqësia e tij Kardinali Richelieu…, më kupton, fuqishëm për burrin më të fuqishëm të kishës…

Por fjalët e Moisiut banë efektin e kundërt, mbasi aktori/shërbëtor u turbullue shumë nga personaliteti dhe këshillat e Moisiu dhe ndodhi që atë mbramje në shfaqje, ai u fut me rrëmbim në skenë  e duke marrë një qëndrim prej statuje  lajmëroj me ton të fuqishëm:…Para jush Shkelqësia e tij Papa…

Mbas shfaqjes, i zëmëruem, Moisiu po i fliste ashpër atij. Shërbëtori / lajmëtar, i fyer nga toni i mjeshtrit, reagoj me kambëngulje: ….Çke, pse zemërohesh? Ti vetë më the që ai asht burri më i madh i kishës, …e nji tjetër ma të madh se Papa nuk mund të gjej…

Vjenë, 18.02.2019