Ambasadorja Yuri Kim mesazh të prerë politikës: S’ka pazare dhe lojëra me Reformën Zgjedhore dhe atë në Drejtësi! Mbani fjalën me popullin dhe SHBA



Një ditë pasmesazhit të dhënë në Twitter, se Reforma në Drejtësi rrezikohet nga një marrëveshje e fshehtë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim iu bën thirrje liderëve politikë në Shqipëri të heqin dorë nga lojërat. Teksa po hynte në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, para marrjes së vendimit për gjyqtarin Luan Daci, Kim u shpreh se SHBA-të dhe populli shqiptar presin realizimin me çdo kusht të Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi. “S’ka më lojëra dhe pazare”, -tha Kim për gazetarët.



Mesazhi im është shumë i qartë. SHBA duan të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Duam që Shqipëria të jetë aleat i fortë, i aftë i SHBA dhe të jetë pjesë e familjes evropiane. Ju nuk mund ta keni këtë pa reformë zgjedhore, ju nuk mund ta keni këtë pa reformë në Drejtësi. Këto të dyja s’janë pazare, por domosdoshmëri. Është koha të realizohen, jo për lojëra. Është koha të realizohet reforma në Drejtësi dhe ajo zgjedhorja. Është koha që liderët të mbajnë fjalën para shqiptarëve. Kjo është ajo që shqiptarët dhe SHBA-të presin prej tyre.