Ana e errët e fushatës së Veliajt, zbulohet fakti i shëmtuar dhe shqetësues i kryebashkiakut

Aktivisti Besjan Pesha denoncoi sot përdorimin e fotos së djalit të tij, pa leje, gjatë shfaqjes së djeshme ku Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi rikandidmin e tij.

Me anë të një postimi në Facebook, Pesha shkruan:

“Dje në mbrëmje një miku im më njoftoi se foto e tim biri ishte përdorur si imazh elektoral në ekranin gjigand të paradës qeveritare.

Foto, siç dallohet qartë më poshtë, është shkrepur në 28 nëntor të 2015 ku im bir mbolli një ulli me rastin e pavarësisë.

Duhet të jesh shumë pervers që të rrëmosh arkivat personale të dikujt dhe të grabisësh prej aty fotot e fëmijës. Duhet të jesh sëmurë që më pas këto imazhe t’i përdorësh si fasadë për qëllime elektorale.

Duhet të jesh kleptoman që të mos mjaftohesh me vjedhjen e fondeve publike duke shpenzuar psh 5.8 mln euro për vetëm 600m te Bulevardi Zogu i Parë, apo me grabitjen e truallit publik si në rastin e Teatrit Kombëtar, apo me zhvatjen e lulishteve publike si në rastin e ish parkut të autobusave, apo të xhepave më të varfër si në rastin e biletës së autobusit, apo të jetëve të fukarenjve si në rastin e ambulantëve që lihen pa bukë në funksion të kioskave…e pra duhet të jesh sëmurë që të mos ngopesh nga gjithë këto bëma e gjëma e të shkosh e të vjedhësh edhe imazhet, freskinë, pafajsinë e fëmijëve të të tjerëve…”

Fotoja është marrë nga fotot e postuara nga vetë Pesha në profilin e tij personal të Facebookut dhe i përket datës 28 nëntor 2015. Në shkelje të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, Veliaj ka përdorur foton për aktivitet partikak.

Zoti Pesha shprehet se këtë çështje do ta çojë në gjykatë:

“Këtë rast do ta çoj në gjykatë. Do e çoj për veten time, për tim bir, por edhe për ti treguar rrugën gjithë atyre prindërve të cilët ose janë ndodhur ose me siguri do të ndodhen në një situatë të ngjashme. Uroj e besoj të gjej drejtësi!”

Besjan Pesha njihet për qëndrimet kritike kundër Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj.

Ky nuk është rasti i parë që Kryebashkiaku Veliaj përdor foto të fëmijëve të kritikëve të tij, pa leje, si për të treguar se pavarësisht kritikave e protestave edhe fëmijët e kritikëve po shijojnë punët e bëra prej tij.

Në dhjetor 2016, Veliaj postoi në faqen e tij në Facebook, foto të Neritan Sejaminit, – një prej kritikëve më të fortë kundër ndërtimit të paligjshëm të këndit të lojërave tek Liqeni Artificial, – bashkë me vajzën e tij, të cilët po merrnin pjesë në një aktivitet të organizuar nga shkolla në Parkun e Liqenit Artificial.

Fotoja u përdor për të treguar se dhe kritikët më të fortë të ndërtimit të këndit të lojërave, tashmë po e përdorin atë. Njësoj si në rastin e Peshës, fotoja është publikuar pa lejen e prindërve./Exit.al