Analisti i njohur zbulon pse Rama ka mllef të vjetër me gazetarët: Sulmi sot po aq i shëmtuar sa “Anti-shpifja”

“Ka media e analistë që janë paguar nga krimi i organizuar”, kështu tha sot Rama në Kuvend. Këtë deklaratë e ka komentuar analisti Agron Gjekmarkaj.

Ai tha se është një akt i shëmtuar po aq sa paketa “Anti-shpifje”. Gjekmarkaj thotë se Rama ka një mllef të vjetër me gazetarët pasi i kanë nxjerrë shumë të vërteta.

“Unë mendoj që ka kryer një akt të shëmtuar po aq të shëmtuar saç ishte ligji që tentoi të miratonte në parlament dhe nuk ia doli për momentin për shkak të presionit kombëtar dhe ndërkombëtar që ishte ai i “Anti-shpifjes”.

Kryeministri e di që gënjen sidomos në raport me gazetarët, me analistët. E ka mllef të vjetër ai këtë sepse ca kohë i quajti ‘kadrinj’, ‘kazanë’. E ka shumë problem sepse mbase opozitarizmi gazetaresk e ka bezdisur shumë, i kanë thënë shumë të vërteta, i kanë vënë në dukje një problematikë të rëndë që e ka shoqëruar gjatë 7 viteve, sjelljen në parlament, në pushtet lokal dhe pak a shumë kudo në hierarkinë e lartë të shtetit të personave të cilët kanë pasur një të shkuar të errët kriminale dhe tani ai i kthehet botës mediatike me të njëjtën akuzë”, tha në studion e emisioni “Real Story” në Neës24, Agron Gjekmarkaj.