“Anët e errëta të Voltanës”/ Si ka ndryshuar drastikisht në 4 vite kryebashkiakja e Shkodrës

4 vite më parë përpara shkodranëve dhe të gjithë shqiptarëve Voltana Ademi këndonte me zell mbi podiumin elektoral këngën që u kthye në hit “Rama – Meta ka maru, ka maru”. Sot 4 vite më pas ndryshimi i saj është drastik dhe në “listën e zezë” të saj ka mbetur vetëm Edi Rama, pasi tani Ilir Meta për të është njeriu i “shpëtimit”, prandaj edhe mbështet vendimin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Përpara mediave duke deklaruar se ishte në një linjë më kreun e shtetit, kryebashkiakja shkodranë tha: “Edhe pse ‘in extremis’ është i duhur dhe i domosdoshëm. Si kryetare mbaj të njëjtin qëndrim dhe mbështes vendimin e presidentit që erdhi në momentin e duhur. Rama ka mundësi reflektimi tani.

Kur të tejkalohet kriza do mund të flitet për zgjedhje. Respektoj mandatin dhe ligjin. Dekreti i presidentit i paraprin çdo nisme tjetër dhe do respektojmë legjimitetin kushtetues të presidentit të republikës. Cdo interpretim tjetër është i jashtëligjshëm dhe i pa vend .

Nuk kemi një tagër për ta interpretuar ndryshe” perfundoi Ademi, duke lënë qartazi të kuptohet se për të më me rëndësi është karriga, sesa integriteti moral dhe konseguenca. Këto janë dy parime për të cilat Voltana nuk pyet dhe i shkel sa herë ti nevojitet, pasi pushteti është ai për të cilin punon, mendon dhe vepron.

Natyrisht në një vend ku do të kishte nje politike sa paku morale, e ku të punohej realisht për interesat kombëtare dhe jo ato personale, Ademi e shumë si ajo nuk do të ishin aty ku janë, ku sa herë u prishen interesat janë të gatshëm të sulmojnë e të luftojnë me cdo mjet, e kur u nevojitet për kokën e tyre, fusin në gji edhe gjarprin.

Realisht akti i presidentit mund të jetë një zgjidhje për të shmangur përplasjet në 30 qershor mes qytetareve, por asesi për Ademin nuk mund të jetë një argument që ajo të duartrokasë përballë njeriut që 4 vite më parë e fyente, shante dhe e cilësonte si të keqen e madhe të vendit.

Por natyrisht kur e bëjnë këtë më të medhenjt, Ademi e ka justifikimin e bashkë me të edhe ngushëllimin, pa ç’ka se me apo pa dorën e Metes, tashmë ajo personalisht nuk ka më shpëtim dhe pushtetin që gëzon e ka momental, pasi një ditë zgjedhjet do të mbahen, e largimin do ta ketë me turp!