Artisti i fukarallëkut Tershana, një gjigand i madh i muzikës në moshë të vogël

Artist që ngre lart vlerat e kombit. Elitar i muzikës që e jetoi jetën e tij gjithnjë nëpër shtëpizat e qiraxhinjve e vdiq duke realizuar ëndërrën që ja kishin imponuar vitet. Tonin Tershana, bir i qytetit të bukur të kulturës dhe dijes, siç ai vetë preferonte ta quante, lindur në Shkodrën e kalasë së legjendës. Tershana ishte artist i lindur midis fukarallëkut material e zisë së bukës.

Dhe muzika nuk ishte spiranca për të shpëtuar nga ai realitet, por mund të kishte qenë një shpirt i fshehur, që fati e deshi të zbulohej në lokalet e Shkodrës.

Duke nisur një rrugë që e kishte ngjizur nga imitimi i zërave të asokohe në radio.

Dhe vetë Tershana, vonë e ka kuptuar që zëri ishte një dhuratë nga zoti, atëherë mori vesh çfarë e bëri të veçantë.
Rrëmbeu kështu një stafetë nga brezat e mëparshëm, duke ditur që një ditë do e linte dhe vetë.

Peripecitë e fazave jetësore tregojnë se mund të ketë qenë një nga artistët më të vuajtur.
Në rrëfimet e tij duket sikur kërkon ndihmë dhe për të shkuarën, për të ndryshuar disa detaje, sepse njerëz të tillë nuk duan të ndryshojnë shumë.

U largua nga Shkodra, nisi shkollën e kulturës në Tiranë, duke e parë këtë mundësi si diçka për tu kapur fort pas saj, por nuk zgjati shumë e u rikthye përsëri, në qytetin e tij të bukur

Shkodra është mjaft e bukur, aq sa ja kishte vënë prangat e vështirësive dhe tërhoqi përsëri.
Dhe pikërisht aty ku i dha jetë zërit të tij, Tershana, debutoi në një radio një tekst muzikor të propozuar dhe korri mjaft sukses, duke arritur krah të madhes Vaçe Zela.

E duke mos hequr dorë, vjen koha kur Tonin Tershana do ishte ashtu i hutuar në emocionet e Festivalit të 4-të do njihej nga shqiptarët anembanë.

Një gjigand i madh i këngës në moshë të vogël doli atë natë dhe rrëmbeu të parin çmim, në daljen e tij të parë.
Brezat e radhës duhet patjetër të kujtojnë Festivalin e 11-të të këngës.

E teksa kujtoni ato këngë, me siguri ndër mend iu bie “Kur vjen pranvera”, ishte kënga fituese e shkruar nga një kolos i cili ndërroi jetë vetëm pak ditë më parë, i ndjeri Fatos Arapi, dhe e sjell mes melodish nga vetë Tonin Tershana.

Më vonë Torshana u bë pjesë e stafit të këngëtarëve dhe aktorëve të Estradës së Ushtarit.

Një triumfues i 4 skenave dhe ka mbledhur publikun në duartrokitje në rreth 20 festivale.
Një shpirt i bukur i vuajtur, e një dëshmitar i gjallë i dhimbjeve të politikës së kohës kur jetonte.

Rrëfimet e tij për vuajtjet si pasojë e të mos paturit, ndoshta drithërojnë më tepër se dhe tingujt.
Të mendojmë se ishte një nga ato lulet që u rrit midis gjembave, mbase nuk i këputi ato, por u përballë me gjakosjen prej tyre.

Dhe teksa u tërhoq ngadal në apartamentin e tij shqiptarët i dhanë vlerësimin duke e konsideruar “Mjeshtër i Madh”, ndonëse vlerësimi më i madh për të është spektatori.

I thyer disi në moshë, thoshte: më dhurojnë optimizëm.

Dua të rikthehem përsëri në në çast të errët në jetën e Tershanës, teksa di që la çdo gjë, njëlloj si shumë shqiptar, në firmat e nohura piramidale, duke e shkretuar dhe njëherë nga nisja.

U largua dhe Tonini nga Shqipëria.

Si një emigrant në kërkim të mbijetesës dhe jo të suksesit.
Mbase kjo bën diferencën, Tonini u largua jo për tu vlerësuar nga skenat e botës por për tu kthyer sërish në skenat e shqiptarëve.

Veprimtaria muzikore e Tonin Tershanës është mjaft e gjerë, pasi është rrahur në skenat e festivaleve dhjetra herë.