Asgjë nuk është mbyllur, trajneri i Vllaznisë kërkon…

Humbja me Kamzën ka vështirësuar qëndrimin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj në Superligë. Por, asgjë nuk është mbyllur. Vllaznia luan ndeshjen e parafundit ndaj Tiranës të hënën në ora 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. Në prag të kësaj sfide ka folur edhe trajneri Neven Plantak.

“Këtë javë, atmosfera në skuadër ka qenë e mirë, por kemi disa probleme pasi janë disa lojtarë të dëmtuar. Gjithashtu kemi problem edhe me pallatin e sportit, që është i bllokuar nga ndeshjet e boksit, sepse jemi detyruar të stërvitemi në një palestër në kushte jo të mira. Por, duhet ti harrojmë këto probleme dhe të përqëndrohemi e te të jemi sa më agresivë ndaj Tiranës. Përsa i përket lojtarëve të dëmtuar, kemi edhe tre ditë kohë nga ndeshja dhe fizioterapisti i ekipit po punon që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm për këtë ndeshje.”

Por, sa shanse ka Vllaznia për të qëndruar në Superligë? Për këtë Plantak thekson:

“Ne kemi analizuar ndeshjen e fundit me Kamzën. Kemi mësuar që duhet të luajmë më mirë në mbrojtje. Nëse luajmë si në 3 ndeshjet që kemi fituar dhe pjesën e dytë ndaj Teutës, kemi mundësi të fitojmë edhe ndaj Tiranës. Për fat të keq, qëndrimi në Superligë nuk varet vetëm nga ne, por do luajmë shanset tona për të siguruar qëndrimin mes ekipeve më të mira në kampionat. Në këto momente duhet të jemi të gjithë të bashkuar, bordi, trajneri, lojtarët dhe tifozët. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë tifozëve shkodranë që të vijnë të na mbështesin në ndeshjen e së hënës ndaj Tiranës. Mbështetja e tyre është e domosdoshme.” – e mbyll prononcimin e tij tekniku i shkodranëve. /ShkodraNews

Lexo edhe: