Askush nuk e shkruan, por me gjasë bëhet fjalë për lokalin Folie: Po na v.r.iten “VIP”-at

E keni dëgjuar se ka pak orë që qarkullon një lajm për një incident të pakëndshëm në fundjavë në një nga lokalet e natës të njohura në Jug të vendit.

Ky shënim i Respublika vjen si alarm për mediat që raportojnë.

Lexojeni:

Mediat raportojnë se gjatë orëve të para të mëngjesit në një lokal në Jal të Vunoit ka patur përpl.asje me a.rmë mes dy grupeve.

Në fillim grupet janë konfrontuar fizikisht, por pastaj kanë k.risur a.rmët dhe për rrjedhojë, siç shkruajnë këto media, “klientët e lokalit VIP” janë futur poshtë tavolinave.

Askush nuk e shkruan, por me gjasë bëhet fjalë për lokalin me emrin Folie, i njohur si pikë tërheqjeje për vipa, rripa, gjithfarë gjindjeje që jeton me dukjen dhe që ka ca para, apo i bie qylit me paratë e të tjerëve dhe që konsiderohet si një lloj statusi vetëm për çmimet që aplikon dhe modën e shthurjes që mundëson.

Por biznesi ka të drejtë të ndjekë çdo lloj politike.

Këtu problemi qëndron me raportimin e mediave që shkruajnë për “lokalin VIP”.

Nëse sheh se kush konsiderohet VIP me përkufizim dhe kush quhet i tillë në Shqipëri, kupton përmbysjen që ka sjellë ekonomia e strukturuar e krimit, ku lloj lloj horrash që kanë mbetur edhe në klasë të parë fillore, apo lloj lloj shalëgjata që janë profesionuar në mënyrë autodidakte për t’u zhveshur fotografikisht, i gjen befas në tituj të quajtur si VIP.

Sigurisht VIP është edhe dikush që shpenzon shumë, sepse meriton trajtim të veçantë, por është e vështirë që shoqëria të njohë si të tillë njerëz që bredhin me armë dhe ndërsehen si qen të pavaksinuar edhe për një shikim; të aftë për të dhënë vetëm shfaqjen e shpenzimeve dhe të ngrefosjes.

Thënë kjo sigurisht që këta janë të amnistuar dhe ku e ku më të pranueshëm, pse të paktën atë që bëjnë e bëjnë vetë, në raport me VIP-t e vetëshpikur të gazetarisë, akademisë, biznesit dhe shoqëruesve të tyre, që konstituojnë në rastin më të mirë vitrinën e kukullave që luajnë role të caktuara nga të tjerë, në paqe me veten dhe filozofinë: ha, pi, bridh se një jetë ke!

Fundja në një shoqëri ku hajdutët janë ekonomia bazë, gangsterët me imunitet janë burim pushteti, ndaj edhe VIP-at e vërtetë po këta janë.

Këta që dalin në media janë kaçaflaqë të zhurmshëm pas të cilëve rend e zgurdullon sytë gjithë admirim proletariati i gazetarëve që shyqyr që ka mësuar ca fjalë dhe bam, në më të parin rast e bën lajmin siç i ka hije vipave.

Se helbete, pas rrjedhjes së trurit, kjo është drama e dytë serioze në këtë vend. (Shënim i Respublica)