Aty ku instalohet tirania, janë të kë.rcënuar të gjithë

Nga Mark Marku

Ditët e fundit, publiku është bombarduar me lajme për kërcënime të drejtpërdrejta të figurave të rëndësishme publike, kërcënime adresuar këtyre personaliteteve nga persona të ndryshëm përmes formave të ndryshme. Intelektuali i njohur Aurel Plasari dhe kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, morën kërcënime nga i njëjti person se do t’u zhdukte familjet dhe ata vetë. Ata e denoncuan kërcënuesin bashkë me kërcënimet e tij, por nga e forcave të Rendit nuk pati as edhe një reagim. Dje një person kishte sulmuar makinën e shkrimtarit dhe publicistit të njohur Fatos Lubonja, i cili nuk e bëri të njohur faktin, por pas publikimit të bërë nga qytetarë të pranishëm në momentin e sulmit ndaj makinës së tij Policia e arrestoi agresorin, i cili po sipas Policisë, rezultonte të ishte me probleme psikike.

Në kulmin e krizës politike ndodhi një nga proceset më të shëmtuara të historisë së pluralizmit shqiptar, sulmi ndaj shkrimtarit, përkthyesit dhe drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufës. Edhe pse e lënë në hije nga ngjarjet e zhurmshme politike, nuk ka si të harrohet se si tërë lukunia e ish-Sigurimit të Shtetit dhe enveristëve, e dirigjuar nga deputeti socialist Spartak Braho, iu lëshuan Agron Tufës me sharje, kërcënime dhe shantazhe vetëm se përgjatë periudhës që ai e drejton institutin kishte zbuluar një pjesë të krimit komunist të ushtruar mbi shoqërinë shqiptare në periudhën 45-vjeçare të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ajo fushatë më tepër se dëshmi e egërsisë dhe e perversitetit komunist (për këtë nuk kemi nevoja për prova të reja se na i ka dhënë me shumicë në 45 vjet të sundimit të tyre), ishte tregues se regjimi komunist jo vetëm nuk është çrrënjosur te një masë e madhe e atyre që sot sundojnë të maskuar nën emrin e Rilindjes, por se kemi hyrë në një fazë kur vetë ky regjim po restaurohet plotësisht me një projekt të pastër politik të inspiruar dhe drejtuar nga vetë Kryeministri Rama.

Rezulton pra, se tranzicioni shqiptar nga diktatura në demokraci po përmbyllet si proces i rikthimit në diktaturë dhe në fakt, në një të tillë jemi: zgjedhje moniste, Parlament monist, sistem gjyqësor i gjymtuar, kryesisht i kontrolluar nga Rama, Polici e kontrolluar nga një oficer në pension që i trajton protestuesit si Ali Kimiku kurdët dhe që i ka hapur luftë opozitës njësoj si Maduro, njerëz që dalin të kërcënuar në votime se do të humbin vendin e punës, banditë të njësuar me pushtetin që vjedhin votat. Shkurt, jemi në një juntë hibride të tipit venezuelianokolumbian, ku FARK-u, krahu politik i narkotrafikut kolumbian është në pushtet dhe kjo është Rilindja. Në Kolumbi kjo organizatë ka qenë në luftë të vazhdueshme me shtetin, por përveç zonave të narkotrafikut, nuk arriti kurrë të merrte pushtetin. Po ashtu, kemi dhe lider totalitar të tipit Maduro, që përveçse e ka shkatërruar ekonomikisht vendin e tij, edhe i ka shpallur luftë demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe opozitës.

Nuk kemi pse habitemi: një projekt i tillë është zhvilluar para syve tanë në 6 vjet të qeverisjes së Ramës, dikush e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë, dikush ka heshtur, dikush ka qeshur, dikush ka qenë bashkëpunëtor i Ramës në këtë projekt, por Rama ka vazhduar zbatimin e tij dhe ja ku jemi. Edi Rama ka gjashtë vjet që të vetmin projekt që e ka shpallur qartë para shqiptarëve, ka qenë ai i zhdukjes së opozitës dhe i zërave kritikë në media, projektin e zhdukjes së demokracisë dhe të shtetit ligjor. Gjashtë vjet me daulle e me cyrle, me benevrekë e me atlete shëtit nëpër Shqipëri si cirk lëvizës dhe përqesh, kërcënon, sulmon opozitën dhe gjithkënd që kundërshton projektin e tij. Ka gjashtë vjet që ka nisur një fushatë kundër gazetarëve dhe mediave, nga njëra anë për t’i kontrolluar, nga ana tjetër për t’i intimiduar duke i sharë gazetarët si Kadrinj dhe mediat si kazan dhe së fundmi ka përgatitur edhe një ligj antishpifje, plagjiaturë e ligjit të Putinit, i cili nuk është as më shumë as më pak se një ligj për censurën. Ka gjashtë vjet që sulmon korrupsionin në drejtësi, i cili jo se nuk ekziston, por se po përdoret pikërisht për të kontrolluar drejtësinë. Dikush e ka kundërshtuar, por askush nuk e ka thënë se diktatorët e përdorin korrupsionin jo se janë kundër tij (më të korruptuarat në histori kanë rezultuar sistemet diktatoriale dhe diktatorët), por sepse pikërisht kjo sëmundje e demokracive është problemi kryesor i qytetarëve dhe si i tillë, mund të shërbejë fare mirë si barut për topat e propagandës qeveritare. Rama e përdori korrupsionin në drejtësi për të futur në kontroll sistemin gjyqësor në mënyrë që ligj të jetë fjala e Ramës dhe që ai të mbretërojë i qetë në llumin e korrupsionit dhe në bahçen e narkotrafikut që quhet Shqipëri. Me të njëjtën lehtësi sulmoi dhe ezauroi liritë akademike, liritë profesionale të mjekëve, arkitektëve, komprometoi shoqërinë civile, shkatërroi Akademinë e Shkencave, miratoi me ligj shembjen e Teatrit Kombëtar dhe së fundi po tenton të marrë në kontroll edhe AMA-n, përmes proceseve të dyshimta ndaj anëtarëve përfaqësues të opozitës në këtë institucion. Për ta përmbyllur këtë proces rikthimi në diktaturë, ai ditën e hënë në Parlament kërkon të heqë edhe pengesën e fundit institucionale: Presidentin e Republikës. Pas kësaj jemi nën sundimin e plotë të juntës, pra në diktaturë.

Faza e re ku kemi hyrë po paralajmërohet nga ajo që po ndodh këto ditë me kërcënimet e individëve. Pra, pasi ka asgjësuar gjithë zinxhirin demokratik të institucioneve që e mbajnë në këmbë një demokraci, tani po u sulet individëve që i kanë bërë rezistencë zbatimit të projektit të tij për kthimin e vendit nën tiraninë e një individi dhe të grupeve kriminale me të cilat sundon. Terrori që përhapin ligjërimet e tij publike dhe ushtria e shërbëtorëve të tij në media po jep rezultatin konkret dhe këto janë vetëm rezultatet e para modeste. Të tjera do të dëgjojmë dhe të gjithë do të biem pre e akteve të tilla, herët a vonë. Madje, edhe të tijtë që e kanë mbështetur në këtë projekt. Shembulli u dha para dy ditësh, kur ai e linçoi para të tijve Blendi Klosin vetëm se kishte pirë një kafe me Fahri Balliun. Blendi Klosi u linçua sepse nuk kishte kuptuar fazën e re të projektit: tashti që u asgjësuan institucionet demokratike, duhen asgjësuar individët, çdo individ që kundërshton fyhrerin: me gurë, me thika, u duhen zhdukur familjet, u duhen mbyllur bizneset, duhen hequr nga puna, duhen sharë etj.. Klosi i shkretë nuk e kishte kuptuar, madje nuk e kupton se një njeri i mirë në diktaturë është jo një njeri me tipare njerëzore, por ai që i shkon pas marrëzisë së shefit.

Pasi ke kuptuar fazën e re ku ka hyrë shoqëria, e kupton se duhen ridimensionuar sjelljet dhe qëndrimet e gjithë aktorëve që nuk e duan sundimin e juntës hibride të Ramës. Opozita duhet të ridimensionojë aksionin dhe objektivat e saj politike, duhet të ridimensionojë marrëdhëniet me aktorët e tjerë publikë, qofshin individë apo grupe interesi. Ajo, nga njëra anë duhet të nënshkruajë një pakt me të gjithë aktorët, por jo si deri tani, ku të gjithë aktorët dhe zërat kritikë i ka konsideruar si aksesorë të ardhjes së saj në pushtet, por si bashkërendim të forcave dhe energjive për të penguar projektin e Ramës. Nga ana tjetër, duhet të ofrojë para qytetarëve alternativën e një demokracie europiane, të një shteti të së drejtës, të një qeverisjeje që vjen si rithemelim i marrëdhënies së qytetarëve me institucionet demokratike. As rezistencën, as alternativën nuk mund ta shtrojë vetëm dhe as përgjegjësitë nuk mund t’i marrë vetëm para atyre 85-87% të qytetarëve që shpërfillën Ramën dhe farsën e tij moniste dhe që duan ndryshimin.