“Babai s’më ka dhënë asnjë shpullë, sot policia më kapi prej leckash si një…”, regjisori rrëfen përplasjen

Pas incidentit që pati sot në mëngjes me uniformat blu, regjisori i njohur Edmond Budina rrëfeu përplasjet përpara godinës së Teatrit Kombëtar, duke theksuar se nuk ishin artistët që u përleshën me policinë por ishin uniformat blu që ishin përleshur me këta të fundit.

I indinjuar Budina deklaroi se sot policia e shtetit e kishte tërhequr zvarrë sikur të ishte një gjë pa vlerë.

“Mua personalisht në jetën time im atë nuk më ka dhënë asnjë shpullë për të më edukuar mirë. Sepse këtu janë mësuar të edukojnë njerëzit përmes shpullave. Mua s’më ka dhënë njeri asnjë shpullë, nuk jam zënë ndonjëherë me njeri as kam rrahur njeri. Sot më kanë kapur për leckash sikur të isha një gjë pa vlerë. Nuk ka rëndësi se kush jam e kush nuk jam, rëndësi ka që jam njeri dhe asnjë njeri nuk ke të drejtë ta marrësh dhe ta tërheqësh zvarrë. Unë jam në të drejtën time për të mbrojtur pronën publike, pronën që u takon të gjithëve. Kjo nuk është pronë as e Kryeministrit, as e kryetarit te bashkisë dhe as e atyre që votojnë si dele një ligj antikushtetues” deklaroi Budina.

Aktori dhe regjisori Edmond Budina shkon edhe më tej me akuzat e tij në drejtim të qeverisë.

“Këtu dhuna vazhdon, neve na prenë dritat, na prenë ujin, jetojmë në një shtetrrethim. Këto gjëra i kanë bërë vetëm diktatorët më të egër që ka njohur njerëzimi. Putin nuk bëri gjë tjetër veçse hodhi edhe helmin. Na mungon vetëm të hedhin helmin”, thekson regjisori dhe aktori Edmond Budina.