Banka e Shqipërisë merr vendimin drastik, ulet në nivele minimale historike…

Banka e Shqipërisë do të zhvillojë sot (e mërkurë) mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, ku një ndër masat që pritet të diskutojë është ulja e normës bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi në një dalje të para disa ditëve në media, se ai do të votojë pro uljes.

Norma bazë është një mekanizëm që shërben për të ulur koston e parasë në ekonomi, edhe përmes transmetimit të politikës monetare tek interesat e huave, që duke u bërë më të lira nxisin investimet në ekonomi.

Aktualisht norma bazë është në nivele minimale historike prej 1%, dhe po mbahet e tillë që prej qershorit të vitit 2018, kur është bërë dhe ulja e fundit. Që prej mesit të vitit 2011, institucioni monetar qendror ka ndjekur një politikë aggresive lehtësuese monetare, duke reduktuar gradualisht normën bazë nga 5.25% në 1%. Ulja e normës bazë është shoqëruar dhe me reduktimin e normave të depozitave dhe kredive. Në janar 2020, interesi mesatar i kredive në lekë ishte 6.3% sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 12% që ishte në mesin e 2011-s, përpara se të fillonte politika lehtësuese monetare.