Barazim në miqësoren ndaj Laçit, ja çfarë thotë trajneri Lika

Barazimi 0 – 0 në miqësoren ndaj Laçit duket se ka lënë të kënaqur trajnerin e shkodranëve Hasan Lika. Në një prononcim për mediat pas këtij takimi, ai u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës në të dyja pjesët, ndërkohë shpreson që ekipi i tij do të zhvillojë të tjera miqësore deri në fund të janarit.

“Jam i kënaqur me mënyrën si u paraqit skuadra në këtë ndeshje dhe jo vetëm në pjesën e parë kur aktivizuam lojtarët titullarë, por edhe në të dytën kur luajtën lojtarët e tjerë. Natyrisht lojtarët nuk janë ende në formën e tyre më të mirë, megjithatë dhanë më të mirën e tyre në këtë takim. Krijuam edhe disa raste shënimi që ndoshta duhej të ishin konkretizuar, por edhe Laçi pati rastet e veta, përpos faktit që kundërshtari kishte edhe disa mungesa. Megjithatë e rëndësishme është që ekipi bëri një paraqitje të mirë dhe këto ndeshje, po na shërbejnë për të kolauduar edhe më shumë lojën tonë dhe besoj se deri në fund të janarit do të zhvillojmë edhe ndeshje të tjera miqësore.”

Përsa i përket merkatos, Lika shtoi: “Ne jemi në pritje të përforcimeve sepse kampionati ende s’ka përfunduar dhe duhet të përgatitemi për çdo të papritur. Rivalët tanë dihet se janë Erzeni, Dinamo dhe Besëlidhja, por gjithsesi ne do të bëjmë punën tone.” /ShkodraNews