Basha në panik nga zemërimi shkodran, a do të mundet i dërguari i tij të pastrojë c’është “ndotur”?

Pasi udhëhoqi përgatitjet disa mujore dhe proçesin zgjedhor për kryetarin e degës lokale të partisë demokratike, Flamur Noka rikthehet sërish në Shkodër nga Lulzim Basha. Këtë herë ai do të jetë i deleguar për të koordinuar protestën e 16 shkurtit që ka lajmëruar opozita e bashkuar. Kryedemokrati ka kërkuar që përballë situatës që sa vjen dhe rëndohet edhe në selinë blu, mos t’ia lejojë organizimin e protestës degëve lokale dhe deputeteve në qarqe, por të zbarkojë në terren anëtarët e kryesisë.

Kështu Noka me përvojën që fitoi në qytetin e Shkodrës, do të vijë këtë herë për të qenë në krah të kryetarit të ri të degës lokale Xhevdet Amuli për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, duke kërkuar sa më shumë pjesëmarrje të demokratëve dhe qytetarëve në shesh kundër qeverisë. Se sa do t’ia arrijë kjo mbetet për tu parë, pasi ndihma kryesore do të duhet të vijë nga bashkia Shkodër, që mban edhe numrin më të madh të të punësuarve.

Pra me pak fjalë pesha do të duhet të mbahet nga Voltana Ademi që ka rastin të bjerë edhe njëherë në sy, ndoshta për të fundit, pasi zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pritet ti presin biletën pa kthim nga drejtimi që pati prej 4 vitesh në bashki. Këtë herë Flamur Noka do të ketë sfidë të vështirë për të bindur jo vetëm demokratët por edhe Shkodranët që të dalin në protestë, pasi nuk mund të mohohet fakti që pakënaqësitë janë prezente, veçanërisht pas emrave të rinj të kryesisë që Basha zyrtarizoi në një proçes me shumë dritëhije dhe pikëpyetje nga pas.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Basha i ka marrë qartazi sinjalet për mungesën e bashkëpunimit edhe të vetë deputeteve të qarkut Shkodër me njeri tjetrin, ku secili vepron sipas mendjes së tij, pa patur një linjë të vetme, e aq më pak të kenë një frymë qendrimi unike. Nën zë madje ata shenjestrojnë njeri – tjetrin për çdo informacion të dalë, për çdo qendrim që mbahet ndaj tyre, duke tentuar të krijojnë edhe aleanca me grup –seksionet për të treguar se kush ka më shumë mbështetje. Dikush krah Bashës, e të tjerë duke folur në emër të tij, ata kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes, por frika që ka kapluar Lulzim Bashën se Shkodra mund t’i japë një shuplakë të fortë për shkak të sjelljeve të tij aspak miqësore këto muaj me këtë qytet, e ka detyruar t’ia besojë një figure si Flamur Noka drejtimin e këtij qarku.

Sepse Noka jo vetëm që njihet për autoritarizmin kur ka drejtuar qarkun e tij Kukësin, por edhe mund të “frenojë” kryengritjet e brendshme në selinë blu të veriut, që mes shumë vështirësish këto vite ka arritur të qëndrojë, përballë tallazeve dhe sfidave që ka patur me eksponentë të ndryshëm të së majtës. Se sa do t’ia dalë këtë herë Noka të jetë aty për të mos lejuar rrëshqitjen e strukturave në një proteste që cilësohet jetike për opozitën e ku pas saj shpreson të mund të rrëzojë Ramën për të sjellë zgjedhje të parakohshme, mbetet vetëm të presim 3 javët e mbetura./ShkodraNeës