Bashkia e Shkodrës djeg serish 150 milion lekë, ja fati i zi i shkollës veterinare

Bashkia e Shkodres djeg edhe për një tjetër vit fondin prej 15 milion lekësh të reja që ishte parashikuar për këtë vit që të vihej në zbatim për rikonstruksionin e godinës së ish shkollës veterinare. Kur ndodhemi në gjysmën e muajit tetor, kjo njësi vendore nuk e ka hedhur as në prokuorim publik këtë tender, që sipas burimeve nga njësia vendore, ka vendosur që ta djegë duke mos e zbatuar. Tashmë me hyrjen në stinën e dimrit do të jetë e vështirë që të kryhen punime dhe aq më shumë në një godinë tejet të amortizuar, e që prej vitesh lëngon në këtë gjendje dhe është kthyer në pikë hedhje të mbeturinave. Megjithese ajo ka qënë një nga shkollat simbol në Shkoder dhe Shqipëri, bashkia e qytetit nuk luajti as hapin më të vogël për të frenuar zhvendosjen e saj, por ju dorëzua pa kushte një vendimi absurd të ministrisë së arsimit asokohe. E njohur si një nga institucionet arsimore që përgatiti për vite me radhë specialist në fushën e blegtorisë, ajo sot i ngjan një kujtimi të së shkuarës që po venitet vit pas viti. Godina e rikonstuktuar sipas projektit të bashkisë Shkoder që ka vendosur edhe shumën përkatese prej 150 milion lekësh të vjetra do të shërbeje si qender komunitare multifunksionale, duke përfshire qendren shëndetesore, zyrën e shërbimeve, kopshtin për lagjen Kiras etj. Por se kur do të vihen në zbatim ky premtim askush nuk di të thotë. Ka gjasa që Ademi të mos jetë më në zyrën e kryetares së bashkisë, kur ky projekt të mund të riciklohet e të futet për zbatim vitet e ardhshme, ndërsa për 2019 ai listohet si një tjetër premtim i pambajtur nga ana e kryetares së bashkisë, që deklarata të tilla i ka patur refren në 4 vite, por që asnjehere nuk i ktheu në realitet.