Bashkia hap aplikimet për miliona para kredi, ja kushtet që duhet të plotësoni. Mosha më e preferuar është…

Prej datës 15 shkurt të këtij viti, kanë nisur aplikimet për 1000 banesa me kredi të butë që do të jepen nga Bashkia e Tiranës për qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi sipas normave të tregut.

Qytetarët në hapjen e kësaj thirrjeje të tretë të programit, kanë mundësi të zgjedhin mes 3 bankave. Vendimi për programin e subvencionimit të interesave të kredive është miratuar gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku janë përcaktuar edhe kriteret favorizuese për të interesuarit.

Ndërkohë ‘Gazeta shqiptare’ publikon sot kriteret e pikëzimit ku përfshihen kushtet familjare, sociale, ekonomike dhe kushtet e strehimit. Qeveria e Shqipërisë dhe ministria ka përcaktuar 3 banka: Raiffeisen, BKT dhe Intesa Sanpaolo. Si tri bankat që mund të procesojnë apelimet, pra qytetarët do të mund të zgjedhin secilën prej bankave. Këstet janë fikse, ndërkohë që Bashkia dhe qeveria do të paguajnë dhe do të amortizojnë normat e interesit, duke i dhënë garanci çifteve të reja sidomos.

Favorizohen të rinjtë deri në 35 vjeç, pra ku shuma e të dy anëtarëve të familjes nuk e kalon moshën ose nuk e kalon shumën 70-vjeç.

Individë familjeje të minoritetit rom dhe egjiptian, ose gra që janë kryefamiljare apo gra që janë dhunuar dhe kanë një urdhër mbrojtjeje dhe qoftë edhe për këtë situatë sociale, kërkojnë të kenë një shtëpi më vete, marrin pikë më të avantazhuara.

Të ardhurat maksimale dhe minimale

‘Gazeta Shqiptare’ publikon sot edhe tabelat me nivelin maksimal të të ardhurave të familjeve, sipas strukturës së apartamentit që ato përfitojnë. Mosplotësimi i kushteve të mësipërme përbën kriter s’kualifikues. Kohëzgjatja maksimale e kredisë është në vartësi të moshës së aplikantit dhe përcaktohet rast pas rasti nga banka që do të përzgjedhë subjekti. Numri i përgjithshëm i përfituesve, të cilët do të mbështeten financiarisht nuk do të tejkalojë 1000 familje, kjo bazuar në shkresën me nr. Prot. 18627, datë 17.10.2019, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.


Kushtet

Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi, e ku përparësi në përzgjedhje kanë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara. Gjithsesi, në kriteret e miratuara dje nga Bashkia e Tiranës, nuk do të përjashtohen as ata individë a familje që nuk bëjnë pjesë në këto familje.
Çdo individ/familje mund t’i drejtohet të tria bankave për të marrë ofertën që i përshtatet më mirë kushteve të tij/saja dhe në pas të vijojë me bankën që përzgjedh vetë. Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3 %, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit. Kontrata e kredisë do të jetë në varësi të moshës së aplikantit dhe do të përcaktohet rast pas rasti nga bankat. Konkretisht, Banka Kombëtare Tregtare do të ofrojë afatin maksimal të kredisë për një periudhë 420 muaj dhe Bankat Intesa San Paolo dhe Raiffeisen, për një periudhë 360 muaj.