“Bashkia që duam”, Rama drejt bastionit të PD në qarkun Shkodër, cila është sfida e socialistëve

Në kulmin e debatit politik dhe kur opozita ka vendosur djegien e mandateve, kryeministri Edi Rama vendos të bëjë sfidën e radhës dhe të vizitojë ditën e martë qarkun e Shkodrës. Mësohet se shefi i ekzekutivit shqiptar këtë herë në kuadër të turit “Bashkia që duam” do të vizitojë qytetin malor të Pukës.

Me këtë rast do të bëhet inspektimi i investimeve që po realizohen në qytetin e Pukës me fondet e qeverisë, ndërsa në orën 14:30 në sheshin qendror, përballë shërbimit Spitalor do të organizohet një bashkëbisedim me komunitetin. Pritet që nga Puka kryeministri Edi Rama t’i përgjigjet për herë të parë direkt edhe vendimit të marrë në bllok nga opozita për djegien e mandateve, si dhe të komentojnë protestën e radhës të parashikuar, atë të ditës së enjte në orën 10.00.

Numri një i ekzekutivit pas Vlorës vendos të vizitojë ekstremin tjetër të vendit, pikërisht veriun, aty ku opozita ka kartën e saj elektorale. Megjithatë ajo çfarë bie në sy nga kjo vizitë e Ramës është fakti se ai vijon të shmangë qytetin e Shkodrës, ndonëse mbetet një prej bashkive që ai e dëshiron fuqishëm dhe 4 vite me parë e quajti sfidë personale ta fitonte.

Nuk dihet ende nëse do të ketë një vizitë të tillë në metropolin verior, edhe pse prej kohësh flitet kjo për faktin se pritet që në këtë rajon të nisë edhe vala e ndryshimeve të drejtoreve rajonal.