Bëni kujdes! Shkodra sërish rrezikon të përmbytet, çfarë ka parashikuar IGJEUM për 23-26 Janarin



Në datat 23 – 26 Janar IGJEUM ka parashikuar reshje intensive shiu dhe rrezik përmbytjesh për qarkun Shkoder, i cili prej javësh ka nën ujë sipërfaqe të tëra toke në disa njësi administrative. Por paradoksalisht ndërsa situata ka njohur përkeqësim, një pjesë e institucioneve kanë hequr dorë nga marrja e masave, edhe pse ligji ja detyron një gjë të tillë.



Rasti më tipik është drejtoria rajonale e ujitjes dhe kullimit të ujrave në Lezhë, e cila e ka nxjerrë nga harta e saj e mbikqyrjes dhe investimeve territorin e bashkisë Shkoder. Emergjencat civile në gjithë këto javë kanë ngritur me shqetësim të shtuar alertin për gërryerjet e tokave në zonën e Gurit të Zi dhe Berdicës si pasojë e ujrave të lumit Drin dhe Kir, atje ku rrezikohen qindra hektarë tokë bujqësore dhe shtëpi banimi.



Por çuditërisht asnjë masë nuk është marrë prej këtij institucioni që ka detyrimin të ndërhyjë me forcë për të shmangur një tragjedi të mundshme që mund të shkaktojnë fryrjet e lumenjve dhe gërryerjet e vazhdueshme. Ndërsa marrin pagat në zyrat e ngrohta, drejtuesit e ndërmarrjes së ujitjes dhe kullimit në Lezhë duhet ta dijnë se kanë detyrime përballë qytetareve dhe asaj që ndodh në territor, pasi miliona lekë cdo vit akordohen nga buxheti i shtetit për këtë gjë.

Janë punë që duhet të kryhen prej tyre, e që në gjithë këto vite nuk janë realizuar, megjithëse fenomeni i gërryerjeve nuk është dicka e re si në brigjet e Kirit ashtu edhe në ujrat e Drinit.

Reforma e re e ndërmarrë për zhvendosjen e tyre nga Shkodra drejt Lezhës, dëshmon më së miri se ka qënë një dështim i shumëfishtë dhe për këtë nuk ka nevojë të hulumtohet gjatë, mjafton të shihet realiteti në terren.

Problematika e krijuar në disa njësi administrative të qarkut Shkoder është dëshmia më e mirë se si mungesa e koordinimit dhe prezencës në terren, bën që gjërat të agravojnë deri në atë pikë, sa komunitetet e ketyre zonave të shpresojnë vetëm që moti të mos përkeqësohet deri në atë pikë që të humbasin pasurinë e një jete. /ShkodraNews