Beteja politike për Shkodrën, gara po sfumon siglën e partive dhe i jep rëndësi emrave garues



Përballja e 25 prillit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri pritet të jetë më shumë një garë emrash dhe jo siglash partish. Kjo po përforcohet cdo ditë e më shumë, ndërsa kampet respektive politike kanë nisur të zyrtarizojnë të deleguarit e qarqeve dhe paralelisht emrat që do të udheheqin listat në çdo qark, nga veriu në jug.



Shkodra është një prej këtyre qarqeve ku beteja politike do të sfumojë siglen e partisë dhe do të dominohet prej emrave që janë pjesë e garës për 11 mandatet që prodhon qarku më i madh në veriun e Shqipërisë. Interesante është beteja e dy forcave të mëdha politike, ku strategjia që po ndjekin duket e ngjashme, pasi si partia demokratike dhe ajo socialiste kanë vendosur t’ja besojnë të parin e listës shkodranëve të Tiranës, e me gjasa edhe emrin e dytë në këtë listë.



Për socialistët pritet që pas Ilir Beqaj të jetë Megi Ajtyresa, ndërsa pas Helidon Bushatit të PD të jetë ish zv/kryeministrja e qeverisë teknike Ledina Mandija. Përballja që në vetvete ka pikëpyetjet por edhe të veçantat e saj, pasi anëtarësia e të dy kampeve politike do të mbajë qëndrimet e saj mbi këto emra. E në krahun tjetër partitë e vogla betejën e kanë mbi individin dhe forcën që ai përfaqeson në territor, drejtëpërdrejtë tek elektorati.

“Lëvizja për Ndryshim” në krye të listës pritet të ketë Jozefina Topallin, gruan e fortë të politikës, e cila për më shumë se 2 dekada ka qënë udheheqëse e listës së partisë demokratike, njohëse e mirë e territorit dhe njëkohësisht emer sfidues për partitë e mëdha. LSI në krahun tjetër do të ketë sërish Agron Çelën udhëheqës të listës, edhe ai prej 2 mandatesh garues me këtë sigël, ndërsa social – demokratët me Tom Doshin.

Më shumë sesa të fortë prej partive që kanë pas krahëve, ata janë emra potencial, që garojnë mbi influencën personale, çka natyrisht ka ndikimin e vet të drejtëpërdrejtë në këtë garë.

Këtë herë zgjedhja e qytetarëve pritet të shkojë pikërisht mbi këtë parim, e jo mbi atë të partisë që përfaqësojnë njëra apo tjetra palë, sepse në vetvete ky mit ka rënë, për sa kohë që përzgjedhja e kandidatëve është kthyer ekskluzivitet i kryetarëve dhe strukturat janë lënë në hije, pasi zëri i tyre nuk dëgjohet më. Sa më shumë afron data e zgjedhjeve aq më shumë del në pah ky fakt dhe elektorati do të nisë të ndjejë lëkundjet e para të zgjedhjes, bazuar mbi këto emra dhe alternativës që do të përfaqësojnë. /ShkodraNews