Beteja politike për Shkodrën mes të “fortësh”, çfarë po “gatuhet” nga përfaqësuesit e partive garuese



Shkodra do të jetë një fushë betejë e fortë politike për 25 prillin 2021, ditën kur nga vota shqiptarët do të zgjedhin përfaqësuesit e ri të kuvendit të Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme.



Zyrtarisht deri më tani janë të konfirmuar drejtuesit e listave që garojnë për 11 mandatet e këtij qarku, Helidon Bushati për partinë demokratike, Ilir Beqja për partinë socialiste, Jozefina Topalli për Lëvizjen për Ndryshim, Agron Çela për Lëvizjen socialiste për Integrim dhe Tom Doshi për Social – Demokratët.



Padiskutim që mund të cilësohet një garë të fortësh, për shkak jo vetëm të profilit që kanë secili, por edhe për atë se cfarë kanë arritur ndër vite të prodhojnë në elektorat, veçanërisht kur flitet për Topallin, Çelen e Doshin, pasi Bushati dhe Beqja garën e kanë më të lehtë për shkak të subjektit politik që kanë pas krahëve. Beteja dukshëm ka nisur dhe më interesante pritet ta bëjnë figurat që do të rreshtohen pas këtyre emrave, sepse lista prej 11 kandidatësh krijon edhe një fizionomi, në raport edhe me numrin e mandateve që do të kërkojë secili të marrë.

Tek PD pritet që të ketë emra të rinj, jo shumë të lidhur me Shkodrën, por edhe riciklime që në vetvete i humbin jo pak pikë kësaj force politike, e cila betejen e 25 prillit e ka për jetë a vdekje, pasi prej 8 vitesh qëndron në opozitë. Të njëjtën gjë pritet të pësojë edhe PS, ku krah Beqajt do të jetë afrime të reja dhe rikonfirmime emrash që prej vitesh kandidojnë në këtë qark, duke i shkaktuar këtë herë ulje – ngritjet e veta PS-së, bashkë me barrën e pushtetit prej dy mandatesh. Krejt profil tjetër ofrojnë partitë e vogla, ku Topalli garon me emra të rinj, të cilët pjesa më e madhe të studiuar jashtë, por që vijnë nga familje me emer në Shkoder e kontribut në drejtime të ndryshme.

Çela e Doshi do të kenë krah vetes emra që kanë bashkëpunuar ndër vite, por edhe ato me profile të ndryshme, e që përfaqësojnë kategori të caktuara. Se sa do t’ja dalin të bindin votuesit, kjo do të mbetet për tu parë gjatë fushatës elektorale, por një gjë është e sigurtë, që Shkodra do të prodhojë garë interesante dhe përplasje të forta, që për herë të parë mund të ndryshojnë konfigurimin tradicional të përfaqësimit politik në këtë qark. /ShkodraNews