Bledi Mane: Iku edhe një tjetër zaga(r)njor i drejtësisë së ndyrë

Nga Bledi Mane

Oh çfarë torture ishte. E përzierë me vapën e të njëtit korrik, të njëjtës datë por e një viti më parë. Isha i vetmi gazetar që botova dhe kundërshtova me prova paradën bajate të ish kryetarit të Gjykatës së Lartë para komisionit të Vettingut. E mbani mend vjet, kur Xhezahir Zaganjori ia hodhi fazës së parë të Vettingut?

Askush nuk e kundërshtoi këtë aprovim. As e majta, as e djathta, as opinionbërësit, askush. Madje as 800 portalet dhe as 27 televizionet…Pasditen e 26 korrikut 2018 telefoni im u raskapit nga thirrjet dhe mesazhet. Një më ofronte, një më kërcënonte, një më ftonte, një më mallkonte, një më bojkotonte, një më miklonte:

-Hiqe artikullin kundër Zaganjorit, mos e publiko, mos e tepro!
Me fakte dhe prova ia kisha argumentuar krygjyqtarit të lartë shkollimin e frikshëm e të shtrenjtë të djemve të tij në Angli dhe Gjermani.

Isha i vetëm përballë një murri të lartë, të betonizuar të një batakçiu plak që ashtu si kolegët e tij kishte masakruar drejtësinë domestike prej gati 27 vitesh. Unë, një ish burgaxhi dhe viktimë e drejtësisë po luftoja e po luftoj me ata që tentuan të shkatërronin jo vetëm jetën time por edhe jetët, pronat, lirinë dhe të nesërmen e një kombi të tërë.


Sot kryetari i Gjykatës së Lartë shqiptare, juristi, lektori, ambasadori, profesori i drejtësisë iku si legen mes turpit dhe ndëshkimit duke na rikthyer lirinë që tentuan të na i mbanin kyçur në burgun e tyre të makutërisë.


Dhe mos harroni por kujtoni se Xhezair Zaganjori ishte kandidat edhe për president republike në vitin 2012.


Lamtumirë Zaganjor, lamtumirë plaku i veremosur që morre me vete miliona brenga dhe tortura të hallexhinjve shqiptarë të cilët shpresonin te ty dhe te gjithë horrat e racës tënde pak drejtësi!