“Bo bo, kush duron këtë, do më kujtojë lekët…”, dëshmitari rrëfen momentin e ekzekutimit te Liqeni

Miku i Islam Myrtajt, i cili ishte bashkë me këtë të fundit kur ekzekutoi Haxhi Baçinozin te parku i Liqenit Artificial në Tiranë, ka rrëfyer para policisë momentin e ngjarjes së rëndë. Nga deklarimet që ka dhënë në Policinë e Tiranës Myftar Pasha, 56 vjeç, i arrestuar për moskallëzim krimi, shpjegohet mekanizmi i ngjarjes, që sipas tij nuk ishte e planifikuar.

Ai ka shpjeguar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se personin e shpallur në kërkim e ka fqinj e mik dhe se kishte dalë me të për një xhiro nga Liqeni Artificial. Ndërkohë, sipas versionit të tij, takimi me viktimën ka qenë rastësor, madje miku i tij është shtangur nga kjo përballje, pasi i është shprehur se Baçinozi do i kujtonte borxhin.

Megjithatë, ndonëse i arrestuar, ka këmbëngulur për një ngjarje të paplanifikuar, Policia ka dyshime të forta për një vrasje të mirëmenduar nga personi që është shpallur në kërkim. Nisur kjo, edhe nga fakti që ai kishte pistoletë me vete.

Vetë i arrestuari është shprehur se nuk kishte dijeni për armën që miku i tij mbante me vete. Sipas dëshmisë së mikut të Islam Myrtajt, 62- vjeçari që mbeti i vrarë te “Liqeni Artificial”, sapo ka parë autorin e dyshuar të ngjarjes, i është afruar duke e ofenduar, ndërsa më pas kjo situatë është pasuar nga një përleshje fizike.

Sipas Myftar Pashës, pas këtij veprimi miku i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt Haxhi Baçinozit.

“Islam Myrtajn e kam shok dhe komshi. Të shtunën pasdite më mori në telefon më pyeti se ku isha. Kur unë i thanë se po dilja nga Liqeni Artificial, ai tha se do të vinte të më shoqëronte. Ishim duke ecur të dy kur përballë pamë Haxhi Baçinozin, që ishte i shoqëruar nga i biri. Islami me tha: Bo bo, kush duron këtë, do më kujtojë lekët… Kur Haxhi Baçinozi u afrua, e ofendoi Islamin rëndë dhe e goditi. U përleshën të 2 dhe pastaj Islami nxori pistoletën dhe qëlloi 4 ose 5 herë. Sapo qëlloi, Islami u drejtua drejt kodrës. Ndodhi shumë shpejt. Unë nuk kisha dijeni që Islami kishte armë dhe që do e vriste. U tremba shumë dhe shkova direkt në shtëpi. Sot u qetësova dhe mora kontakt me Policinë”, ka deklaruar Myftar Pasha gjatë dëshmisë që ka dhënë pas arrestimit.