“Burri im është i mrekullueshëm”. Gruaja mbron shqiptarin në Gjykatën e Belgjikës

Ndërsa ka dalë para gjykatës për të marrë dënimin për vrasjen, shqiptari është mbrojtur nga bashkëshorja e tij. Një 40-vjeçar shqiptar në Belgjikë i akuzuar për vrasje, ka dalë dje para Gjykatës për seancën e radhës. Në procesin gjyqësor, u lexua një letër e bashkëshortes së shqiptarit Erjon S., e cila shkruante se pavarësisht të kaluarës së tij, ai është një burrë i mirë dhe baba i përkushtuar. Në letrën e saj, ajo thotë gjithashtu se 40-vjeçari ka ndryshuar plotësisht. “Bashkëshorti im është një burrë i mrekullueshëm dhe baba i dashur.

Fëmijët e mi nuk kanë pranë babain e tyre dhe natën qajnë. Çdo mbrëmje ai na telefonon për të na pyetur si e kaluam ditën. Ne e vizitojmë çdo javë në burg. E dimë që ka bërë gabime, por unë e dua burrin tim”, shkruan në letër bashkëshortja e shqiptarit. Erjon S. akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e një prostitute disa vite më parë në Itali dhe është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Pas krimit në shtetin italian, ai u arratis drejt Belgjikës ku krijoi një jetë të re duke marrë shtetësinë belge me emër të rremë dhe datëlindje të ndryshuar.

40-vjeçari jetoi në Geluëe ku u martua dhe u bë baba i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë. Për 9 vite askush nuk e kishte kuptuar se ai në fakt ishte një person tjetër dhe që kërkohej nga shteti italian, deri sa u zbulua nga autoritetet. Pas këtij momenti, u rihap proces gjyqësor në Itali dhe dënimi i tij u reduktua në 17 vite burgim. Gjykata italiane lejoi që dënimin ta kryente në Belgjikë. Por, përveç vrasjes, autoritetet belge tani e akuzojnë edhe për identitet të rremë, falsikim dokumentesh dhe mashtrim. Dënimi për këto akuza është 3 vite. Avokati i tij mbrojtës kërkon dënim të reduktuar, me argumentin se identiteti i rremë i mundësoi 40-vjeçarit një jetë të re në Belgjikë, një punë të re dhe krijoi familje. Erjon S. rrezikon gjithashtu edhe që të humbasë shtetësinë belge. Seanca e radhës gjyqësore ndaj tij është caktuar më 12 nëntor.