By Pass-i i Shkodrës s’është gati për finalizim as në vitin e 9, vjen lajmi i mirë për familjet e prekura

Në vitin e 9 të nisjes së ndërtimit të tij dhe kur ende nuk është gati për tu finalizuar, për familjet e By Passit të Shkodres mbërrin një lajm i mirë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “ByPass-i Perëndimor i Shkodrës”. Çdo qytetar që preket nga ky projekt do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur, bazuar në VKM.

Ky projekt kap vetëm një objekt ndërtimi ndërsa pjesa tjetër është pasuri e llojit truall dhe tokë ‘arë’. Ndërkohë janë 55 pronarë në total që përfitojnë shpronësim dhe vlera totale paraprake e shpronësimit është 304 milionë lekë.

Hapja e thesit nga qeveria e Edi Rames u vendos të bëhej pikërisht në një moment krize për vendin dhe kur mbajtja e zgjedhjeve mbetet në pikëpyetje. Kujtojmë që pak muaj më parë ka qënë vetë drejtoresha e ARRSH Sonila Qato që pasi inspektoi punimet dhe premtoi një dëmshpërblim të tillë, megjithese tek banorët ajo hasi në jo pak kritika dhe skepticizëm se një gjë e tillë do të ndodhte.

Por me sa duket fushata bën të sajën dhe për banorët duhet thënë që së paku më në fund erdhi kjo ditë pas 9 vitesh pritje, premtime dhe sorollatje pa fund që shteti ju bëri, pasi më herët ju mori tokën pa i pyetur dhe pa ju dhënë shpërblimin që i detyrohej.