“Çështje të lëna rrugëve”/ Si gjykatat në Shkodër po rraskapisin qytetarët

Ecja me ritme të avashta e reformës në drejtësi po e zhyt ditë pas dite në kolaps sistemin. Gjykata e Shkodrës është një prej këtyre institucioneve që po vuan krizën e gjyqtarëve, duke bërë që volumi i punës të rritet, proceset e gjykimit me themel të zgjaten në kohe, e për pasoje ato të zvarriten në vite.

Numri i çështjeve është tejet i lartë thonë burime nga gjykata, por zgjidhja e tyre duket e largët për sa kohë që në organigramë mungojnë jo pak por 4 gjyqtarë. Pritet që ky numër të rritet pasi me nisjen e muajit Maj do të zbardhet lista e re e gjyqtarëve që do te dalin përpara komisionit të pavarur të kualifikimit, e ku së paku një pjesë e gjyqtarëve të Shkodrës rrezikojnë kalimin.

Verifikimet paraprake për një pjesë të tyre kanë nxjerrë problemet që ato kanë me justifikimin e pasurisë si dhe kontaktet me persona jo të përshtatshëm, ç’ka do të thotë se sërish numri i gjyqtarëve do të ulet. Në  të njëjtën kohë në ketë institucion përveçse zvarritjes së çështjeve, më shume shqetësim po shihet numri i ngjarjeve të shtuara, që nga krimet, divorcet, problemet e pronësisë, konfliktet banale etj, pasi të gjitha përkthehen me shumë pune.

Deri më tani asnjë rruge dalje nuk është dhënë për pasojat që po lë pas reforma, ku së paku të ikurit duhet të zëvendësohen me prurje të reja. Ky shqetësim nuk është vetem për shkallën e parë, por edhe Apelin, që nga ana tjetër mbetet filtra e dytë e sistemit./ShkodraNews