Çfarë do të ndodhë me protestat?! Spaho tregon fatin e aksionit opozitar

Këto dy muaj do të jenë një moment kyç i jetës politike në vend. Pritet që në tetor të kemi një përgjigje për hapjen ose jo të negociatave por edhe kulmimin e aksionit të opozitës, e cila tashmë ka mbetur pa asnjë lloj pushteti.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i lidh këto dy ngjarje me njëra-tjetrën. Ai thotë se protestat e opozitës do të vijojnë si pjesë e pandashme e aksionit të saj por sipas tij deri në dhënien e vendimit nga BE, nuk do të ketë protesta kombëtare nga ana e opozitës.

“Ne protestat nuk i kemi ndërprerë. Protestat do të jenë një veprim i pandalshëm i aksionit tonë politik. Do të ketë në javët dhe muajt e ardhshëm. Për momentin kemi deklaruar që për hir të diskutimit të mundësisë së hapjes së negociatave me BE, nuk do të ketë një protestë kombëtare. Kjo për të shprehur një gjest vullneti të mirë. Në radhë të parë për të gjetur zgjidhje për krizën e plotë politike, kushtetuese, institucionale, ligjore që ka përfshirë vendin, por edhe për t’i shërbyer procesit të negociatave.

Ne do bëjmë publike shumë shpejt një platformë, e cila do të prezantojë hapat që duhen ndërmarrë për të kapërcyer krizën politike. Por më e rëndësishme se kjo, për të mos u përsëritur në të ardhmen, që një njeri i vetëm ta kaparojë të gjithë pushtetin dhe të sillet si diktator. Kjo platformë është një shenjë e vullnetit të mirë që ti shërbejë një klime më pozitive brenda vendit në mënyrë që të ndikojë pozitivisht në dhënien e mundësisë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.” –është shprehur ish deputeti Spaho.