Çfarë do të ndodhte nëse epiqendra e tërmetit do të ishte në Tiranë? Ja si përgjigjet inxhinieri i njohur

I ftuar në programin “Historia ime” në Klan, ka qenë inxhinieri i njohur Arben Meçe, i cili ka treguar për problematikat e ndërtimeve që u evidentuan pas tërmetit. Sipas tij, vala kryesore kaloi dhe nuk flasim më për presion psikologjik. “Ne sot pas tërmetit, nuk flasim më për presion psikologjik sepse ne, mediat së bashku me një tufë aktorësh që ishin në terren, kemi arritur t’i transmetojmë qytetarit se tërmeti është një gjë e zakonshme, ne do jetojmë me tërmetin, do mësohemi me tërmetin, vala kryesore kaloi. Në këtë plan, njerëzit po e marrin më qetë tërmetin, kjo është gjë pozitive shumë”.

Inxhinieri Meçe tregon se nëse epiqendra do të ishte në Tiranë, pasojat do ishin po aq të mëdha. Sipas tij në Tiranë ka pasur frikë, por nuk ka pasur tërmet.

Ai shton se teza që Durrësi ka ndërtuar keq apo se ishte mbi kënetë nuk qëndron. “Nëse njerëzit e duan jetën e tyre, duhet të futen në një proces shumë serioz.

Të jeni të sigurt që dhe në Tiranë ka një shkallë dëmtimi të kësaj natyre, por në Tiranë nuk ka pasur tërmet. Në Tiranë ka pasur frikë, por nuk ka pasur tërmet.

Sepse në qoftë se në Tiranë do binte tërmeti, pasojat e Durrësit do ishin po aq të mëdha në Tiranë sepse nuk është se Durrësi ka ndërtuar keq.

Pra nuk qëndron teza, se meqenëse Durrësi është në zonë ranore apo kënetore e mori goditjen. Po, i vajti tërmeti për këtë arsye, por nuk u dëmtua Durrësi se ishte mbi kënetë, por se kishte goditjen e rëndë.

Nëse ajo goditje e rëndë do vinte në Tiranë, do shikoje sesi ato katet e para do ishin problematike për Tiranën”. /Klan