Çfarë fshihet pas Memorialit turk për nder të Erdogan

Vendosja e Memorialit për të rënët e ushtrisë dhe policisë gjatë grushtit të shtetit në Turqi, në zemër të Tiranës, ka qenë një provokim i fortë që ka ngjallur një ortek reagimesh. Kjo simbolikë, sigurisht na tregon një vend vasal ndaj Erdoganit.

Është zakon që vendet e lira dhe demokratike nderojnë të shtypurit dhe viktimat e një sunduesi, diktatori apo autokrati.

Ndërsa Edi Rama shkon në të kundërt. Ngre një piedestal që e nxjerr Erdoganin të brishtë, viktimë të komplotit, ashtu siç është propaganda e udhëheqësit turk.

Shefi i Ankarasë është nga ata që jetojnë për lavdi, dhe ky lloj memoriali i duhet shumë.

Ndërkohë, Rama nuk besohet se do t’ia dijë shumë se ku e rendit vendin tonë ky gjest, edhe pse gjakon se kërkon integrimin europian.

Po padyshim, duhet të ketë disa interesa ekonomike pas gjithë kësaj. Vendimi patjetër është marrë gjatë asaj drekës së famshme që u zbulua nga një foto ku qëndronin ngjitur Rama dhe Erdogan.

Shefi i rilindjes është i dëshpëruar për disa investime pasi i njihet si një prej dështimeve të mëdha mungesa e tyre në këto 6 vite.

A është vallë aeroporti i Vlorës në lojë?

Ka një tezë që qarkullon dendur kohët e fundit, se memoriali u vendos në këmbim të fillimit të punimeve. Jo më kot Rama po e përmend shpesh e më shpesh këtë vepër në infrastrukturë, vazhdimisht si premtim, por që së shpejti do marrë jetë.

Nga ana tjetër, kryeministri ka deklaruar publikisht se pas Lasgushit, do të nisë së shpejti fluturimin Migjeni, drejt Italisë.

Edhe kjo me gjasë, vjen pas asaj dreke dhe fshihet pas memorialit.

Fillimi i fluturimeve me dy avionë shtesë brenda këtij viti, drejt vendit fqinj, dihet nga çdo student i vitit të dytë të ekonomikut, se është absolutisht me humbje.

Vetëm nëse linjat janë të dedikuara për sheikët me bileta speciale. Mos ndoshta edhe këto do të rimbursohen sipas akordit të vaktit të fundit në Turqi.

Nëse rezulton kështu, pakti është i thjeshtë.

Rama i ofron Erdoganit një memorial të shtrenjtë në Tiranë për lavdinë dhe propagandën e tij. Dhe merr në këmbim një aeroport dhe linjë të re fluturimi për Itali.

Pra merr dy premtime të realizuara, çka i nevojiten kaq shumë shefit të rilindjes për politikën e brendshme.

Sa për imazhin dhe orientimin në lindje, Ramës zor se i bën përshtypje. Puna është të fitojë kohë me dy gjëra të mëdha, që do i shesë për qytetarët, siç di ai me makinerinë e madhe të PR-it që ka në dore./Mapo