Çfarë ndodh nëse opozita nuk hyn në zgjedhje? Ja si përgjigjet ambasadori italian

Situata politike në vend vijon të mos ketë një zgjidhje. Ambasadori italian në Tiranë Alberto Cutillo ka folur për zgjedhjet vendore në 30 qershor.

Pyetur nëse ato janë të ligjme nëse zhvillohen pa praninë e dy partive që përfaqësojnë forcat kryesore të opozitës Cutillo tha për Report Tv:

“Për mendimin tim, nga pikëpamja rigorozisht ligjore, them se po. A do të mund të njiheshin? E po, këtu qëndron ndyshimi: sa do të mundohet mazhoranca, në mënyrë të sinqertë, që ta sjellë opozitën në zgjedhje. Është deri diku dilema e vitit 2017. E kuptoj se kjo ka krijuar disa precedentë, që ndoshta e bëjnë kompromisin disi më të vështirë, por të paktën dëshiroj të shoh se ka përpjekje serioze.

Pra, më lejoni të theksoj këtë ndryshim me qëndrimin e Departamentit të Shtetit. Gjatë vizitës së para pak ditëve, Nënsekratari Palmer tha saktësisht të kundërtën. Nuk i takon mazhorancës të bindë opozitën, i takon opozitës të vendosë nëse do të marrë pjesë. Nuk besoj se janë krejtësisht të ndryshëm por, sigurisht, mund të ketë shprehje të ndryshme, e përsëris, që janë të ligjshme askush nuk mund ta vërë në diskutim, do të ishte shumë e thjeshtë të thuash unë nuk luaj dhe kampionati anulohet.

Por në interes të mbarëvajtjes së përgjithshme të sistemit politik por dhe të atij social, të heqësh dorë nga dy parti që përfaqësojnë pothuaj gjysmën e elektoratit e pastaj të thuash se nuk është problem, do të ishte paksa e ekzagjeruar. Në kufijtë e të arsyeshmes, unë mendoj se ai që ka përgjegjësinë për të qeverisur, një përpjekje duhet ta bëjë.

Më pas, nëse kjo përpjekje nuk do të ndiqet me të njëjtin angazhim nga pala tjetër, atëherë me të drejtë mund të thotë “unë u përpoqa. Nuk është faji im nëse një numër i konsiderueshëm zgjedhësish do të privohen nga ajo që do të ishte zgjedhja e natyrshme”. Kjo do të forconte besueshmërinë e zgjedhjeve”