Çfarë ndodhi që të gjithë heshtën me djegien e mandateve në bashki? Voltana Ademi pse fshihesh

Pasi dogji mandatet, opozita deklaroi edhe aksione të tjera që do të sillnin kaos në qytetet shqiptare siç ishte djegia e mandateve të këshilltareve bashkiak dhe të zgjedhurve vendore. E në fakt këtë hap Lulzim Basha dhe aleatët nuk po e artikulojnë më dhe duket se harruan entuziazmin e orëve të para pa mandat deputeti, duke u spostuar nga ky hap i dytë.

Por sa janë të gatshëm në fakt për një hap të tillë së pari përfaqësuesit me të lartë që opozita ka në këshillat bashkiak, siç janë kryetarët e 15 bashkive. Mes tyre do të duhej të ishte flamurtare Voltana Ademi, si kryebashkiakja e një prej bashkive më të mëdha në vend, e më e madhja që ka opozita në patronazh. Por natyrshëm që qytetarja e parë e Shkodrës nuk ka sesi të pranojë një sakrificë të tillë, e as të flasë për një gjë të tillë, sepse për të pushteti është më i rëndësishëm se partia, apo çdo gjë tjetër.

Gjithashtu të mirat që vijnë prej tij, ajo i di mirë në këto 4 vite të menaxhimit klientelist të Shkodrës, sipas orekseve të shfrenuara të saj dhe bashkëpunëtoreve të ngushtë që e udhëheqin në rrugën pa kthim. Asnjë fjalë e thënë, asnjë veprim i marrë, vetëm daljet fasadë në fushate me punonjësit që ka në varësi, duke luftuar të bjerë në sy, e të mund të sigurojë përmes manovrave të saj, një premtim nga Basha për një rikandim të mundshëm. Në këtë mes nuk janë ndjerë as këshilltarët bashkiak, që prej këtij artikulimi nga kryedemokrati Basha, kanë zgjedhur ta anashkalojnë këtë çështje, sepse për një pjesë të tyre ky mandat dihet që është thuajse i pamundur të përsëritet.

Në rastin më të mirë gjithmonë nga listat e partisë, mund të rikthehen në ato ulëse 5 deri në 7 emra, asnjë më shumë, e të tjerët nuk kanë perse të sakrifikohen në këtë lojë politike. Jo vetëm nga PD, por edhe nga LSI nuk është artikuluar ky kurs politik që natyrshëm mund të rriste krizën në vend, pasi do të paralizonte edhe shërbimet me elementare për qytetarët. Së paku opozita do të mund ta bënte në ato bashki ku nuk drejtojnë të sajët, por natyrisht që interesi më i madh i një klase politike që distancohet nga pushteti apo mandati, do të ishte aty ku e ka realisht këtë status politik, pra në bashki si Shkodra, Lezha, Kamza etj.

Voltana Ademi e ka tashmë një test dhe sfidë shumë më të vështirë, por do të duhej të ishte e para që të dilte e të deklaronte dorëheqjen nga ky mandat, qoftë edhe për atë persekutim që ajo në 3 vite deklaroi se Edi Rama i bëri duke mos i thënë fonde. Por jo nuk ka sesi ta bëjë, prandaj edhe është fshehur, pasi karrigia është me e embël, sesa kostumi i një qytetareje të thjeshtë./Shkodraneës